Vizita e Rektorit Hajrullahu dhe prorektores Basha në Poloni: Takime strategjike në Varshavë dhe Łódź forcojnë bashkëpunimet ndërkombëtare të UP-së
Delegacioni i Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga rektori prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha, zhvilloi një vizitë treditore pune në Republikën e Polonisë, të koordinuar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Varshavë, z. Drilon S. Gashi. Kjo vizitë përfshiu takime zyrtare me shtatë universitete në Varshavë dhe Łódź, duke krijuar bazën për bashkëpunime të reja akademike dhe kërkimore me disa prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit të lartë në Poloni.
Gjatë vizitës në Universitetin e Varshavës, institucionin me rangimin më të lartë në Poloni, delegacioni u prit nga rektori prof. Alojzy Z. Nowak, prof. Łukasz Zamęcki dhe prof. Spasimir Domaradzki. Diskutimet u përqendruan në rolin bashkëkohor të universitetit në epokën e inteligjencës artificiale, rëndësinë e programeve ndërdisiplinore dhe të partneriteteve ndërkombëtare. Palët u pajtuan të nisin përgatitjen e një Memorandumi Mirëkuptimi që do të mundësojë mobilitete dhe projekte të përbashkëta kërkimore.
Në Universitetin e Muzikës “Fryderyk Chopin”, rektori Dr. Tomasz Strahl, prorektorja për marrëdhënie me jashtë, prof. Joanna Ławrynowicz-Just dhe kancelari Paweł Sroczyński pritën delegacionin në një takim të përzemërt, duke trajtuar mundësitë për shkëmbime në studimet në muzikë, bashkëpunim artistik dhe avancimin e arsimit muzikor në Kosovë.
Në Universitetin e Ekonomisë së Varshavës – SGH, delegacioni u prit nga prorektori prof. dr. Jacek Prokop dhe drejtoresha për bashkëpunim ndërkombëtar, znj. Małgorzata Chromy. Në takim u trajtuan mundësitë për bashkëpunim në fushën e ekonomisë, programet e administrimit të biznesit dhe shkencat shoqërore, si edhe perspektivat për projekte të përbashkëta në kuadër të Erasmus+.
Në Universitetin e Teknologjisë së Varshavës – universiteti më i lartë i ranguar teknik në Poloni – delegacioni u prit nga prorektori për hulumtime prof. Mariusz Malinowski, drejtori i Qendrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar prof. Grzegorz Robak dhe znj. Patrycja Kluz. U diskutua për thellimin e bashkëpunimit në inxhinieri, teknologji informative, kërkime të avancuara shkencore dhe shkëmbime në nivel master e doktorate.
Takim i rëndësishëm u zhvillua edhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Varshavë, ku prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare, prof. Magdalena Boffito, prezantoi profilin e institucionit dhe ku u diskutua mundësia e bashkëpunimit në arte pamore, projekte artistike dhe mobilitete akademike.
Në Universitetin e Łódźit, delegacioni takoi prorektoren për marrëdhënie me jashtë, prof. Lazari-Radek. U theksua rëndësia e marrëveshjes ekzistuese Erasmus+ KA171 në shkencat shoqërore dhe arkeologji. Palët diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në arkeologji, albanologji, si dhe mundësinë e angazhimit të lektorëve të gjuhës polake në UP.
Pika kulmore e vizitës ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me Shkollën e Filmit të Łódź-it, një nga akademitë më të shquara të filmit në Evropë. Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. Arben Hajrullahu dhe rektorja prof. Milenia Fiedler. Ky partneritet synon projekte të përbashkëta akademike, mobilitete të studentëve dhe shkëmbim të ekspertizës akademike në artin filmik.
Vizita në Poloni hap një perspektivë të gjerë bashkëpunimi për Universitetin e Prishtinës. Të gjitha institucionet e vizituara shprehën gatishmërinë për të avancuar dialogun, për të përgatitur marrëveshje konkrete dhe për të zhvilluar iniciativat e përbashkëta në fushat kërkimore, akademike dhe artistike. Këto kontakte vendosin themele të rëndësishme për projekte të reja, mobilitete të zgjeruara dhe përfshirje më të thellë të UP-së në rrjetet akademike evropiane.
Universiteti i Prishtinës i shpreh mirënjohje të veçantë Ambasadorit Drilon S. Gashi për organizimin e kujdesshëm dhe angazhimin, që mundësoi realizimin e të gjitha takimeve dhe kontakteve institucionale gjatë kësaj vizite zyrtare në Poloni.