Vikendi i Universitetit Veror: Studentët ndërkombëtarë në Prekaz, Prizren e Ulpianë për historinë e re dhe të vjetër të Kosovës

Vikendi i Universitetit Veror: Studentët ndërkombëtarë në Prekaz, Prizren e Ulpianë për historinë e re dhe të vjetër të Kosovës

Administrator Administrator 14 korrik 2025 Arkivuar

Prishtinë, 12 -13 korrik - Studentët pjesëmarrës në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës pas një jave të ngjeshur me ligjërata dhe aktivitete të ndryshme, të shtunën dhe të dielën e patën ditën e vizitave jashtë kryeqytetit të Kosovës.

E shtuna në Prekaz e Prizren

Ata në mëngjes u nisën drejt Prekazit, vendit ku më 5, 6 e 7 mars 1998, banorët e lagjes Jashari të këtij fshati të drejtuar nga Adem Jashari shkruan epopenë e lavdishme të qëndresës e mosdorëzimit, duke u rezistuar për tri ditë e deri në vdekje sulmeve të forcave të shumta të atëhershme serbe.

Studentët ndërkombëtarë në Kompleksin Memorial „Adem Jashari” panë kudo shenjat e ruajtura të asaj beteje të pabarabartë gjatë së cilës nuk u kursyen as fëmijët dhe u njohën nga afër me sakrificën e kryekomandantit, familjes së tij dhe fqinjëve — një akt i pashembullt ose shumë i rrallë në historinë e luftërave.

Këta studentë më pas vizituan Prizrenin, qytetin më të bukur të Kosovës, vendin ku bashkëjetojnë në harmoni të plotë njerëz të grupeve të ndryshme etnike dhe të tri feve monoteiste.

Ata u ndalën te shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shatërvani, kalaja, vizituan objekte të ndryshme kulturore e fetare dhe shijuan „qebapat” e famshëm të këtij qyteti.

E diela në Ulpianë, Radac, Pejë dhe Shpellën e Radacit

Edhe të dielën, studentët pjesëmarrës të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës të liruar nga obligimet mësimore akademike, vizituan qytetin antik të Ulpianës, burimin e Drinit në Radac, qytetin e Pejës dhe Shpellën e Radacit.

Pas njohjes me historinë antike të Kosovës në qytetin e ndërtuar nga perandori romak Trajan dhe të rindërtuar nga Justiniani, një perandor me origjinë dardane, studentët vizitorë panë nga afër edhe disa nga bukuritë natyrore.

Burimi i Drinit të Bardhë në fshatin Radac të Pejës, vetë ky qytet, por edhe Shpella e Radacit ishin destinacionet që mahnitën dhe çlodhën studentët pjesëmarrës të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

Prej të hënës e deri në fund të javës së ardhshme në këtë universitet do të vazhdojnë kurset, ligjëratat dhe aktivitetet kulturore e sociale.