UP organizon konferencën e inovacionit

Administrator Administrator 10 maj 2019 Arkivuar

Në Bibliotekën Qëndrore Universitare të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur konferenca e inovacionit “Inovacioni për një të ardhme të qëndrueshme”, bashkëorganizatore e së cilës ishte Universiteti i Prishtinës.

Pjesa e parë e konferencës i’u kushtua dy paneleve, në të cilat u fol për fuqizimin e inovacionit dhe adresimin e sfidave shoqërore në Kosovë dhe Evropë, si dhe për ndryshimet dhe eksplorimin e qasjeve të reja për afrimin me nevojat e tregut të punës.

Të pranishmëve në këtë organizim, me fjalë rasti, iu drejtua edhe rektori prof. dr. Marjan Dema, i cili tha se organizimi i kësaj konference ka shumë rëndësi në prezentimin e bashkëpunimit mes trekëndëshit: edukim, biznes dhe sektor publik, lidhje kjo që sipas tij mungon në sistemin trandicional të arsimit të lartë në Kosovë.

Ngjarja e sotme mbledhë të gjithë për të diskutuar se si mund të bashkëpunojmë në të ardhmen në mënyrë që të kemi një udhëheqje të qëndrueshme dhe besoj se jemi në vendin e duhur për të diskutuar në lidhje me këtë temë, nga e cila dalin projekte inovativenë fusha të specializuara që nxisin mundësitë për punësimin dhe trajnimin e të rinjëve të vendit tonë”, ka thënë rektori Dema.

Ne anën tjetër, drejtoresha e Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë, prof.dr. Mihone Kerolli-Mustafa, njëherësh edhe koordinatore e projektit është shprehur e kënaqur që një konferencë e tillë po mbahet në Kosovë dhe po mbledhë universitetet vendore.

Pjesa e fundit e konferencës u rezervua për studentët pjesëmarrës, të cilët u grumbulluan në gjashtë grupe dhe së bashku me mentorët diskutuan për tema të ndryshme si: puna vullnetare e të rinjve, cilësia e profesorëve, mungesa e praktikës për studentë, metodat e vjetëra të ligjërimit dhe tema të tjera.

Konferenca  “Krijimi i teorisë në qendrat praktike për inovacion dhe punësim”, është pjesë e projektit të Erasmus+, e cila është e përbërë nga 11 partnerë kosovarë dhe ndërkombëtarë.