UP nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin Aldo Moro, Itali
Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. asoc . dr. Merita Koçinaj - Berisha, ka qëndruar për vizitë disa ditore në Bari të Italisë, ku ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Universitetin Aldo Moro të Barit.
Nënshkrimi i marrëveshjes u realizua në sallën e Këshillit të Universitetit të Barit, ku prezentë nga Universiteti nikoqir ishin rektori Antonio Felice Uricchio, si dhe koordinatori dhe presidenti i masterit ndërkombëtar, prof. Francesco Inchingolo. Ndërkaq, si përfaqësuese e UP-së në këtë ceremoni ishte prof. asoc. dr. Merita Berisha – prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar.
Prorektorja Berisha tha se kjo marrëveshje vendos brenda një kornize ligjore bashkëpunimin e filluar kohë më parë në mes të dy universiteteve, duke mundësuar këmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen.

Në anën tjetër, rektori Urichiio u shpreh i lumtur për arritjen e zyrtarizmit të këtij bashkëpunimi. Ai tha që Universiteti i Shkencave “Aldo Moro” me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje zgjeron bashkëpunimin edhe me Universitetin e Prishtinës, me qellim të ndërkombëtarizimit dhe të promovimit të mësimdhënies në nivel ndërkombëtar.
Qëllimi i këtij memorandumi është që të mundësohet zgjerimi i shkëmbimeve ndërmjet dy universiteteve, si për studentët, ashtu edhe për personelin akademik dhe administrativ. Memorandumi parasheh edhe mundësitë e organizimit të aktiviteteve të përbashkëta, programeve dhe kërkimeve në nivel ndërkombëtar.
Gjate vizitës në Bari të Italisë, prorektorja Berisha mori pjesë edhe në Kongresin "Inovacionet teknologjike dhe protokollet eksperimentale në parodontologjinë dhe kirurgjinë orale. Përdorimi i faktorëve të rritjes, aktualitetet klinike dhe perspektivat". Në fjalën e saj të rastit në këtë Kongres, Prorektorja njoftoi të pranishmit për marrëveshjen e nënshkruar dhe për mundësinë e bashkëpunimit përmes Universitetit Veror, si dhe pati rastin që gjatë ditëve të Kongresit, të takojë ekspertë nga vende të ndryshme dhe të diskutoje për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet.
