UP-ja mban ditën informuese për mundësitë që ofron programi Erasmus +
Studentët dhe stafi i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” patën rastin të njihen nga afër me mundësitë që ofron programi Erasmus +. Kjo u bë e mundur gjatë sesionit informues të organizuar nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë e UP-së, i cili u mbajt në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UP-së, prof. ass. dr. Dashamir Bërxulli, u shpreh i lumtur që numri i të interesuarve për të përfituar nga këto mundësi është çdo herë në rritje.
“Është e mrekullueshme për të rinj si ju të dilni jashtë dhe të përjetoni përvoja të reja dhe unike, të cilat ua mundëson njohja me kultura të tjera”, ka thënë Bërxulli.
Ai shtoi që UP-ja është shumë i përkushtuar që të ofrojë sa më shumë mundësi të shkëmbimeve për stafin dhe studentët e tij, në mënyrë që të mundësohet edhe shkëmbimi i përvojave dhe njohurive.
Në anën tjetër, sipas drejtoreshës së Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, Lumnije Bajrami, kjo ditë është organizuar me qëllim që të interesuarit për programin Erasmus + të kenë një derë ku mund t’i marrin informacionet.
“Një ndër arsyet se pse kemi vendosur që ta mbajmë këtë ditë orientuese ka të bëjë me atë se shumë shpejt do të fillojmë me thirrjet e reja për semestrin vjeshtor dhe ju të mund të informoheni detajisht për procedurat dhe dokumentet që mund t’ju hyjnë në punë”, ka treguar Bajrami.
Ndërkaq, për procedurat dhe gjithçka tjetër rreth mundësive që ofron programi Erasmus+, i informoi të pranishmit zyrtarja Aferdita Bislimi–Rexhepi. Ajo, ndër të tjerash, informoi se vetëm gjatë semestrit pranveror të këtij viti, mbi 100 studentë të UP-së kanë qenë pjesë e shkëmbimeve semestrale në universitetet partnere.
Erasmus+ është program arsimor i Bashkimit Evropian që synon modernizimin e sistemeve arsimore dhe përshtatjen e tyre me nevojat e tregut të punës, duke mundësuar kryesisht shkëmbim të studentëve dhe stafit universitar.