UP mban ditën informuese për mundësitë që ofron programi Erasmus +
Studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, patën rastin që gjatë ditës së sotme të njihen nga afër me mundësitë që ofron programi Erasmus +.
E gjithë kjo u bë e mundur falë ditës informuese të organizuar nga Zyra për Marrdhënie me Jashtë e UP-së, e cila u mbajt në ambientin e Bibliotekës Universitare.
Për numrin e madh të të interesuarve u shpreh i lumtur prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof.dr Dashamir Bërxulli.
“Është e mrekullueshme për të rinj si ju që të dilni jashtë dhe kam kënaqësin të ju them se ju e keni kuptuar drejt këtë çështje dhe Universiteti është ai që është dhe ju nxitë dhe ju motivon dhe ky është një kontribut”, ka thënë Bërxulli.
Sipas drejtoreshës së Zyrës për Marrdhënie me Jashtë, Lumnie Bajrami, kjo ditë është organizuar me qëllim që të interesuarit për programin Erasmus + të kenë një derë ku mund t’i marrin informacionet.
“Një ndër arsyet se pse kemi vendosur që ta mbajmë këtë ditë orientues ka të bëjë me atë se shumë shpejt do të fillojmë me thirrjet e reja për semestrin vjeshtor dhe ju të mund të informohen detajisht për procedurat dhe dokumentet që mund të ju hyjnë në punë”, ka treguar Bajrami.
Ndër të tjera, ajo ftoi studentët dhe profesorët të shfrytëzojnë mundësin e pakrahasueshme që ofron UP-ja dhe programi Erasmus +.
Vetëm gjatë semestrit pranveror të këtij viti, mbi 100 studentë të UP-së kanë qenë pjesë e shkëmbimeve semestrale në universitetet partnere.