UP-ja dhe Universiteti Kirklareli i Turqisë arrijnë marrëveshje bashkëpunimi
Universiteti i Prishtinës nënshkroi javën e kaluar një memorandum bashkëpunimi me Universitetin Kirklareli të Turqisë në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për ndërkombëtarizim dhe rrjetëzim.
Me memorandum, të dy universitetet partnere janë pajtuar të ndihmojnë dhe rrisin bashkëpunimin në fushat akademike të trajnimeve, kërkimeve shkencore, zhvillimit institucional dhe të kurrikulave, sigurimit të cilësisë dhe shkëmbimit të informatave.
Palët nënshkruese gjithashtu planifikojnë shkëmbim të studentëve e profesorëve mes fakulteteve të të dy universiteteve në të tri nivelet e studimeve (bachelor, master dhe doktoratë), hartimin e projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe zhvillimin e organizimin e seminareve, kurseve trajnuese dhe konferencave.
Në takimin që i parapriu nënshkrimit të marrëveshjes, drejtuesit e dy universiteteve u zotuan për zbatimin me përkushtim të të gjitha pikave të memorandumit, ndërsa theksuan rëndësinë e madhe që kanë bashkëpunimet.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe rektorja e Universitetit Kirklareli të Turqisë, prof. Rengin Ak.
Universiteti Kirklareli ofron studime në fushat e ekonomisë, teknologjisë, inxhinierisë, turizmit, drejtësisë, mjekësisë, arkitekturës, etj, ndërsa në vit pranon mbi 20 mijë studentë të rinj.