UP-ja arrin marrëveshje bashkëpunimi me Korporatën Italiane „SmartCity” për zbatimin e programit „Be Smart in the City”
Në ambientet e ambasadës italiane u nënshkrua sot memorandumi për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë mes Universitetit të Prishtinës dhe kompanisë „SmartCity Corporation” partnere e Projektit „Punësimi Produktiv dhe Gjithëpërfshirës në Kosovë, Zhvillimi i Aftësive Personale, Profesionale dhe atyre të Ndërrrmarrësisë te të Rinjtë dhe Gratë (projekti OPIK).
Ky projekt bashkëfinancohet nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) udhëhequr nga CELIM —„Centro LaiciItailani per le Missioni “.
Me memorandum parashihet që Universiteti i Prishtinës do të bashkëpunojë duke mbështetur regjistrimin e studentëve, duke ofruar mbështetje institucionale dhe duke promovuar programin „Be Smart in the City” brenda komunitetit të tij akademik.
85 për qind e programit, që gjithashtu është pronë intelektuale e ndërmarrjes „SmartCity Corporation” nga Italia, do të kryhet online, ndërsa 15 për qind me prani fizike, prandaj ai do t’u mundësojë qasje shumë të favorshme studentëve, pavarësisht nga vendndodhja e tyre gjeografike.
Programi është paraparë të zgjasë 200 orë, ndërsa ka në përbërje 18 module të specializuara për aftësim në fushat e transformimit digjital të qyteteve me teknologjitë më moderne.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe drejtoresha ekzekutive e „SmartCity Corporation”, prof. Guilia Agrosi, nën kujdesin dhe praninë e ambasadorit të Italisë në Kosovë, shkëlqesisë së tij, Maurizio Antonini dhe drejtorit gjeneral të CELIM-it, Davide Raffa.
Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishin të pranishëm edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, dekania e Fakultetit tëArkitekturës, prof. Violeta Nushi, dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë, prof. Florim Graiçevci dhe asistentja ekzekutive e rektorit, Fitore Seferi si dhe të ftuar, palë interesi të tjera.