Universiteti i Prishtinës sjell projekt evropian për klimën në Podujevë — nis zbatimi i projektit CLIPP

Universiteti i Prishtinës sjell projekt evropian për klimën në Podujevë — nis zbatimi i projektit CLIPP

Administrator Administrator 27 janar 2026

Sot ka nisur zbatimi i projektit CLIPP — Climate Integrated Pathways for Podujeva (CLIPP), i përzgjedhur për financim në kuadër të fazës së dytë të thirrjes “P2R –Pathways2Resilience”, brenda programit Horizon Europe.

Në këtë thirrje, 62 rajone nga vende të ndryshme të Evropës (lista e plotë këtu) janë përzgjedhur për zhvillimin e planeve për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike në kuadër të skemave të Bashkimit Evropian, ndër to edhe qyteti i Podujevës, nëpërmjet Universitetit të Prishtinës.

Koordinator dhe menaxher i projektit është prof. dr. Kadri Sylejmani nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, ndërsa Komuna e Podujevës është partnere e konsorciumit në zbatimin e projektit në nivel lokal.

Programi Pathways2Resilience përfshin gjithsej 100 autoritete lokale dhe rajonale që përfaqësojnë mbi 100 milionë qytetarë evropianë dhe synon përgatitjen e tyre për përballimin e rreziqeve kryesore klimatike, si përmbytjet, valët e të nxehtit dhe thatësirat.

Secili rajon i përzgjedhur, edhe Podujeva, do të përfitojë 210,000 euro financim, si dhe qasje në mjete të specializuara, udhëzim nga ekspertë dhe platforma të mësimit ndërrajonal. Zbatimi i projektit do të zgjasë 18 muaj, gjatë të cilëve do të forcohet bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës, institucioneve lokale dhe partnerëve evropianë për ndërtimin e kapaciteteve të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.