Universiteti i Prishtinës shihet si qendër e zhvillimit të talenteve për teknologjitë e së ardhmes
Universiteti i Prishtinës zgjidhet partner qendror nga kompania ndërkombëtare Ascent/Acuity Knowledge Partners.
Në mesin e shumë universiteteve të rajonit dhe më gjerë, Universiteti i Prishtinës është përzgjedhur nga Ascent/Acuity Knowledge Partners, një nga ofruesit kryesor evropian të shërbimeve të personalizuara në menaxhimin dhe analizën e të dhënave, si dhe të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale, për të ndërtuar një partneritet strategjik në fushat e teknologjisë digjitale.
Delegacioni i kompanisë vizitoi sot Universitetin e Prishtinës për të prezantuar kornizën e bashkëpunimit të mundshëm, duke vlerësuar UP-në si institucionin më të përshtatshëm për zhvillimin e kapaciteteve të reja në teknologjitë e së ardhmes. Gjatë takimit, u diskutua për mënyrën se si UP-ja përgatit studentët për tregun e punës në sektorin e teknologjisë informative, si dhe për mundësitë që të rinjtë kosovarë të përfshihen në programet e trajnimit dhe punësimit të kompanisë.
Përfaqësuesit e Ascent/Acuity vlerësuan potencialin e jashtëzakonshëm dhe nivelin e lartë kritik të studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje për probleme komplekse dhe të përshtaten me ndryshimet e shpejta që po ndodhin në botën e digjitalizimit. Ata theksuan se UP-ja duhet të luajë një rol qendror në zhvillimin e teknologjive digjitale, financiare dhe analitike në Kosovë e më gjerë.
Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës, nën udhëheqjen e rektorit prof. Arben Hajrullahu, rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë, duke theksuar se investimi në këto fusha do të kontribuojë për të mirën e përgjithshme në ngritjen e kapaciteteve të reja, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe forcimin e pozitës së Kosovës në ekosistemin digjital rajonal.
Delegacioni i Ascent/Acuity Knowledge Partners erdhi i shoqëruar nga Taulant Abazi, bashkëthemelues dhe drejtor i kompanisë „Arquail”, ndërsa mysafirët u pritën nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, profesoresha e Fakultetit të Edukimit, prof. Krenare Pireva-Nuçi dhe profesorët nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore dhe Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, prof. Eliot Bytyçi e prof. Kadri Sylejmani.
Palët u pajtuan të hartojnë një plan konkret bashkëpunimi me afate të qarta zbatimi, që do të përfshijë projekte kërkimore, trajnime, mentorime te përbashkëta dhe shkëmbime profesionale në fushën e inteligjencës artificiale dhe analizës së të dhënave.
Kjo vizitë vjen vetëm disa muaj pas themelimit të Qendrës për Inteligjencë Artificiale (AIUP) në Universitetin e Prishtinës, në qershor 2025, një nismë që tashmë po e pozicionon UP-në si lider rajonal në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe partner të besueshëm të industrisë ndërkombëtare.