Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin e Iowa-s
Universiteti i Prishtinës dhe ai i Iowas në ShBA konkretizuan sot me një memorandum raportet e përzemërta dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Memorandumi parashikon nisma të përbashkëta në fushat e mësimdhënies, trajnimeve dhe kërkimit shkencor që dalin nga programi i Universitetit të Iowa-s „Partneriteti i Sektorit Privat për Forcimin e Arsimit të Lartë në Kosovë” në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës.
Me memorandum janë paraparë edhe shkëmbime të profesorëve e të diplomuarve dhe thirrjeve e ftesave për pjesëmarrje në konferenca, simpoziume e seminare të Universitetit të Prishtinës dhe Iowa-s. Gjithashtu do të ketë organizime për zhvillimin e talenteve të studentëve e profesorëve nga të dy universitetet.
Gjatë takimit, para se të nënshkruhet memorandumi, u bë zotim i përbashkët dhe u shpreh përkushtimi që partneriteti mes dy institucioneve të arsimit të lartë të zhvillohet edhe më tutje në të ardhmen.
Për ceremoninë solemne të nënshkrimit të memorandumit, në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës erdhën dekani i programeve ndërkombëtare në Universitetin e Iowa-s, prof Russell Ganim, ish-dekani i Kolegjit të Farmacisë në këtë universitet dhe profesori Donald E. Letendre, të shoqëruar nga profesoresha e Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë së UP-së, prof. Pranvera Breznica-Selmani.
Mysafirët i priti rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.
Vitin e kaluar me ndihmën e profesorit amerikan, Donald E. Letendre, në Fakultetin e Mjekësisë u themelua Instituti i Farmacisë me qëllimin e rritjes së kapaciteteve kërkimore e profesionale të Universitetit të Prishtinës dhe zhvillimin e sektorit farmaceutik në Kosovë.