Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me UNICEF-in

Universiteti i Prishtinës nënshkruan memorandum bashkëpunimi me UNICEF-in

Administrator Administrator 17 shtator 2025 Arkivuar

Është nënshkruar sot memorandumi i bashkëpunimit mes Universitetit të Prishtinës dhe Fondit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Memorandumin e nënshkruan rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe shefja e Zyrës së UNICEFIT-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

Në takim dhe ceremoninë solemne të nënshkrimit morën pjesë edhe prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj dhe specialistja për edukim në Zyrën e UNICEF-it në Kosovë, Kozeta Imami.

Rektori Hajrullahu, para nënshkrimit të memorandumit, tha se marrëveshja nuk duhet të mbetet vetëm e shkruar në letër, por duhet të punojmë së bashku për të arritur rezultate konkrete, ndërsa shefja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko tha se memorandumi po ndodh në një kohë shumë të përshtatshme kur në këtë organizatë ndërkombëtare është miratuar plani pesëvjeçar për Kosovën.

Memorandumi parashikon bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët për të mirën e fëmijëve, adoleshentëve dhe familjeve të Kosovës.

UNICEF-i në Kosovë bashkëpunon tashmë me Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa gjatë takimit të mëhershëm mes rektorit Hajrullahu dhe zonjës Vashchenko ishte diskutuar për bashkëpunim rreth themelimit të një programi në UP për shkollim të mamive.