Universiteti i Prishtinës lidh marrëveshje me një nga akademitë më prestigjioze evropiane të filmit, Shkollën e Filmit të Łódźit

Universiteti i Prishtinës lidh marrëveshje me një nga akademitë më prestigjioze evropiane të filmit, Shkollën e Filmit të Łódźit

Administrator Administrator 25 nëntor 2025 Arkivuar

Sot u nënshkrua një Memorandumi Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi shumë premtues midis Shkollës së Filmit të Łódźit të Polonisë, nga Rektorja Prof. Milenia Fiedler dhe Universitetit të Prishtinës, nga Rektori Prof. Arben Hajrullahu.

Memorandumi i Mirëkuptimi shënon një hap të rëndësishëm përpara drejt forcimit të bashkëpunimit në fushën e projekteve të përbashkëta, krijimin e programeve mësimore, si dhe shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve. Rektori Arben Hajrullahu u shpreh shumë i lumtur për këtë marrëveshje, duke theksuar që: ,,Memorandumi lidhë Universitetin e Prishtinës me shkollën prestigjoze të filmit të Łódźit dhe ka potencialin që të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të fushës së filmit — në shkëmbime akademike, në rritjen e kapaciteteve për studime në fushën e filmit dhe në zhvillimin e mëtejmë të industrisë së filmit në Kosovë.”Në takim, rektori Hajrullahu u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, z. Drilon S. Gashi, si dhe nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbime akademike, prof. Rozafa Basha.

Shkolla e Filmit në Łódź është një nga akademitë më prestigjioze të filmit në Europë, e cila ka krijuar breza të regjisorëve, kinematografëve dhe artistëve me ndikim në botë, polakë dhe ndërkombëtar. E themeluar në vitin 1948, ,,Shkolla Polake e Filmit” ka prodhuar emra eminentë të fushës si Andrzej Wajda, Roman Polański, Krzysztof Kieślowski, Jerzy Skolimowski, Zbigniew Rybczyński, dhe shumë të tjerë. Shkolla e Filmit njihet për formimin rigoroz artistik, traditën e fortë të autorit dhe kulturën që promovon inovacionin dhe lirinë kinematografike.

Universiteti e Prishtinës do të prioritizojë jetësimin e memorandumit të nënshkruar sot në shkëmbime të studentëve dhe profesorëve, ideve dhe praktikave, dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta me Shkollën e Filmit të Łódźit. Urojmë që me praninë e studenteve tanë në Łódź, dhe me bashkëpunimin me këtë institucion, të zhvillojmë më tej industrinë e suksesshme të filimit të Kosovës, duke shkuar përtej imagjinatës sonë e drejt sukseseve të reja.