Universiteti i Prishtinës lidh marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Gjirokastrës
Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti „Eqrem Çabej’ i Gjirokastrës nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi.
Me këtë memorandum është paraparë shkëmbimi i studentëve të të gjitha niveleve të studimit, vizitat e ndërsjella të personelit akademik dhe ekspertëve kërkimorë, dizajnimi i projekteve të përbashkëta, organizimi i aktiviteteve dhe shkëmbimi i informacioneve e publikimeve shkencore në fushat e interesimit të dyanshëm.
Gjatë takimit që i parapriu nënshkrimit solemn të memorandumit, u tha se marrëveshja assesi nuk duhet të mbetet vetëm në letër, por të mbushet me jetë e të konkretizohet për të mirën e të dy universiteteve.
U theksua gjithashtu se për dallim nga e kaluara e vështirë e të dy vendeve të të njëjtit komb, tani mjafton vetëm dëshira dhe askush më nuk mund të pengojë bashkëpunimet e ndërsjella.
Memorandumi u nënshkrua nga rektorët, prof. Arben Hajrullahu dhe prof. Jaho Cana, ndërsa të pranishëm në ceremoni ishin edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik në UP, prof. Rozafa Basha, zëvendësrektorja për shkencën dhe marrëdhënien me jashtë e Universitetit të Gjirokastrës, prof. Merita Isaraj, përgjegjësja e Sektorit të Kërkimit Shkencor dhe Marrëdhënieve me Jashtë në këtë universitet, Irma Gjolleshi dhe administratori, Semi Golemi.
Universiteti i Gjirokastrës, i krijuar mbi bazën e ish-Institutit të Lartë Pedagogjik, është institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor e kulturor në jugun e Shqipërisë .
Një ndër synimet kryesore të Universitetit të Prishtinës është bashkëpunimi ndëruniversitar, pasi në kohën e zhvillimeve të vazhdueshme teknologjike asnjë universitet nuk mund ta kryejë misionin e tij vetëm.