Universiteti i Prishtinës e vë Kosovën në hartën e kompjutimit me performancë të lartë (HPC) në Evropë përmes projektit të financuar nga Digital Europe

Universiteti i Prishtinës e vë Kosovën në hartën e kompjutimit me performancë të lartë (HPC) në Evropë përmes projektit të financuar nga Digital Europe

Administrator Administrator 26 dhjetor 2025 Arkivuar

Me anë të Projektit EUROCC, të fituar nga Universiteti i Prishtinës në dhjetor të vitit 2025, Kosova do ta krijojë Qendrën Nacionale të Kompetencës për Kompjutim me Performancë të Lartë (HPC), duke iu bashkuar vendeve tjera që e kanë një qendër të tillë. Projekti i filluar në vitin 2020, përveç Kosovës, ka 33 vende partnere.

Kompjutimi me performancë të lartë (HPC) nënkupton përdorimin e kompjuterëve të fuqishëm ose serverëve të lidhur mes vete që analizojnë një numër shumë të madh të të dhënave për të zgjidhur probleme komplekse.

EUROCC, i udhëhequr nga Universiteti i Shtutgartit, me gjithsej 107 partnerë nga vendet e përfshira (mes tyre UP-ja dhe Rrjeti Kosovar për Hulumtim dhe Edukim KREN), është vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian.

Projekti do të ketë kohëzgjatje trevjeçare dhe do të udhëhiqet nga prof. Eliot Bytyçi, nga Universiteti i Prishtinës.

Qëllimi i tij është që në bashkëpunim me KREN-in të krijohen mundësi që ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe industria kosovare të kenë qasje në shërbime këshilluese, zhvillim të njohurive dhe qasje në burime kombëtare dhe evropiane të kompjutimit me performancë të lartë.

Universiteti i Prishtinës po në dhjetor fitoi një projekt nga Horizon Europe që ka të bëjë me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike duke shfrytëzuar zhvillimet e hovshme teknologjike. Po ashtu, nëpërmjet një  projekti të fituar së fundmi, UP-ja do të ndihmojë ruajtjen e trashëgimisë kulturore me anë të digjitalizimit dhe algoritmeve të inteligjencës artificiale.