Universiteti i Prishtinës dhe MCA Kosova, të përkushtuar drejt funksonalizimit të Qendrës për Aftësim dhe Inovacion në Energji

Universiteti i Prishtinës dhe MCA Kosova, të përkushtuar drejt funksonalizimit të Qendrës për Aftësim dhe Inovacion në Energji

Administrator Administrator 19 gusht 2025 Arkivuar

Përfaqësuesit e MCA — Kosovës (Llogarisë së Sfidave të Mijëvjeçarit — Kosovë) me drejtuesit e Universitetit të Prishtinës zhvilluan një takim pune rreth projektit „JETA”, komponentë e programit „Kompakt”, që parashikon fuqizim të sektorit energjetik të vendit dhe përfshirje më të madhe të të rinjve në të.

Drejtoresha ekzekutive e MCA Kosova, Florina Duli-Sefaj, zëvendësdrejtori i projekteve në MCA Kosova, Burim Hashani dhe drejtori i projektit „JETA”, Hamit Qeriqi, u pritën nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, prorektorja për shkëmbim akademik dhe ndërkombëtarizim, prof. Rozafa Basha, prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari dhe këshilltarja ligjore e rektorit, Rina Mehana.

Rektori Hajrullahu duke falënderuar shtetin dhe taksapaguesit amerikanë për programin „Kompakt”,  shprehu bindjen se zbatimi i tij do t’i ndihmojë fuqishëm UP-së dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Me bashkëpunimin mes MCA-së dhe UP-së është paraparë që në Universitetin e Prishtinës të krijohet Qendra për Aftësim dhe Inovacion në Energji, ku do të përgatiten të rinjtë e të rejat që duan të krijojnë karrierë në fushën e energjisë.

Komponenta „JETA” dhe kjo qendër brenda UP-së synojnë ta ndërtojnë një sistem trajnimi dhe aftësimi, i cili  do t’u mundësojë pjesëmarrësve të kësaj qendre të jenë më konkurrentë në tregun rajonal të punës dhe do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit.