Trupat këshillëdhënës forcojnë lidhjen e Universitetit të Prishtinës me tregun e punës gjatë vitit 2025

Trupat këshillëdhënës forcojnë lidhjen e Universitetit të Prishtinës me tregun e punës gjatë vitit 2025

Administrator Administrator 24 dhjetor 2025 Arkivuar

Gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2025, Universiteti i Prishtinës ka realizuar me sukses një cikël të plotë takimesh konsultative të trupave këshillëdhënës në të gjitha katërmbëdhjetë njësitë akademike, duke shënuar një avancim të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës.

Ky proces është zhvilluar në përputhje me Rregulloren për themelimin dhe parimet e funksionimit të Trupit Këshillëdhënës të Njësive Akademike të Universitetit të Prishtinës, e cila përcakton rolin, përbërjen dhe kompetencat e këtyre trupave si mekanizma joformale këshillëdhënëse, të orientuara drejt rritjes së cilësisë së arsimit dhe relevancës së programeve studimore.

Trupat këshillëdhënës, të përbërë nga përfaqësues të tregut të punës, sektorit privat dhe publik, si dhe autoriteteve relevante të fushave përkatëse, kanë shërbyer si platforma dialogu për identifikimin e nevojave konkrete të tregut, diskutimin e kompetencave profesionale të të diplomuarve dhe dhënien e rekomandimeve për përditësimin e programeve studimore, zhvillimin e praktikës profesionale dhe rritjen e punësueshmërisë së studentëve.

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. asoc. Majlinda Gjelaj, vlerësoi se ky proces përfaqëson një element kyç të qasjes së Universitetit të Prishtinës ndaj sigurimit të cilësisë dhe zhvillimit institucional.

“Trupat këshillëdhënës janë ura funksionale ndërmjet universitetit dhe tregut të punës. Përmes tyre, njësitë akademike marrin inpute të drejtpërdrejta nga aktorët relevantë të fushës, duke siguruar që programet studimore të zhvillohen në përputhje me nevojat reale të ekonomisë dhe shoqërisë. Ky proces nuk është formal, por thelbësor për modernizimin e arsimit të lartë dhe rritjen e besueshmërisë së diplomave të Universitetit të Prishtinës”, tha prorektorja Gjelaj.

Ajo theksoi se rekomandimet e dala nga takimet konsultative kontribuojnë drejtpërdrejt për përmirësimin e kurrikulave, nxitjen e bashkëpunimeve me punëdhënësit, si dhe krijimin e mundësive për praktika profesionale, projekte të përbashkëta dhe iniciativa kërkimore të aplikuara.

Procesi i planifikimit, koordinimit dhe dokumentimit të këtyre takimeve është lehtësuar nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë në Universitetin e Prishtinës, i cili ka luajtur rol qendror në harmonizimin e praktikave ndërmjet njësive akademike, ofrimin e udhëzimeve institucionale dhe mbështetjen teknike gjatë gjithë procesit.

Në këtë mënyrë, takimet e trupave këshillëdhënës gjatë vitit 2025 nuk kanë qenë aktivitete të izoluara, por pjesë integrale e sistemit të sigurimit të cilësisë dhe e përpjekjeve të vazhdueshme të Universitetit të Prishtinës për të ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme, transparente dhe të dobishme me tregun e punës.

Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që këtë praktikë ta vazhdojë dhe ta avancojë edhe në vitet në vijim, duke e parë bashkëpunimin me aktorët e jashtëm si një komponent thelbësor të misionit të tij akademik dhe shoqëror.