Takimi me organizatën „VORAE” dhe deputetin Asllani: Për gjithëpërfshirje dhe barazi të mundësive

Takimi me organizatën „VORAE” dhe deputetin Asllani: Për gjithëpërfshirje dhe barazi të mundësive

Administrator Administrator 25 gusht 2025 Arkivuar

Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës janë takuar sot me deputetin e komunitetit ashkali, Arton Asllani dhe zyrtarin për arsim në Organizatën Joqeveritare „Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, Bajram Ilazi, për të diskutuar rreth përmirësimit të vazhdueshëm të pozitës së këtyre komuniteteve nëpërmjet shkollimit dhe kontributit për shoqërinë.

Në një takim ku me vëmendje janë dëgjuar të gjitha sfidat me të cilat përballen studentët e tri komuniteteve dhe janë kërkuar rrugë për tejkalimin e tyre, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu me mysafirët e tij u pajtuan që kujdes i veçantë t’u kushtohet kuotave për regjistrimin e  studentëve të komuniteteve joshumicë në Universitetin e Prishtinës.

Rektori Hajrullahu tha se menaxhmenti i UP-së është më se i vullnetshëm dhe shumë i interesuar për fuqizim të gjithëpërfshirjes dhe barazisë së mundësive. Në takim morën pjesë edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe këshilltarja ligjore e rektorit Hajrullahu, Rina Mehana.

Në Universitetin e Prishtinës 12 për qind e studentëve të rregullt që pranohen çdo vit, u takojnë komuniteteve joshumicë.

Organizata Joqeveritare „Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” mbështet komunitetet e përmendura në fushat e arsimit, punësimit, strehimit, si dhe me anë të avokimit dhe përfaqësimit para institucioneve dhe agjencive qeveritare lokale dhe ndërkombëtare.

Në uebfaqen e kësaj organizate ekziston platforma kundër diskriminimit, në të cilën pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve joshumicë mund të raportojnë përvoja të tilla të këqija të përjetuara. Në këtë platformë mund të keni qasje duke klikuar në këtë vegëz.