Takimi me kryeministrin dhe ministren e Arsimit: UP-ja po performon mirë

Takimi me kryeministrin dhe ministren e Arsimit: UP-ja po performon mirë

Administrator Administrator 27 gusht 2025 Arkivuar

Në takimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe ekipit të tij me kryeministrin, Albin Kurti dhe ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, u diskutua hapur për arritjet dhe sfidat, mbështetjen dhe rezultatet e UP-së në epokën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimeve të hovshme teknologjike.

Rektori Hajrullahu, pasi falënderoi për mbështetjen që i ofrohet Universitetit të Prishtinës, theksoi se ai dhe ekipi i tij janë të përkushtuar të udhëheqin institucionin me transparencë dhe meritokraci. Ai veçoi tri fusha kryesore të angazhimit të përditshëm dhe afatgjatë të menaxhmentit:

  • Rritjen e mobilitetit të brendshëm dhe ndërveprimit mes njësive akademike të UP-së;
  • Rritjen e mobilitetit të jashtëm, duke sjellë sa më shumë studentë e profesorë nga universitetet prestigjioze në UP dhe anasjelltas; dhe
  • Digjitalizimin, si proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen e universitetit.

Gjithashtu, rektori Hajrullahu prezantoi para përfaqësuesve të lartë qeveritarë edhe planet dhe nevojën për zhvillimin e burimeve njerëzore në UP dhe avancimin e Bibliotekës Qendrore Universitare.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar Universitetin e Prishtinës si institucionin numër një të arsimit të lartë në trojet shqiptare, theksoi se universitetet janë vende ku jo vetëm konsumohet, por edhe krijohet dija. Ai porositi që më të mirët të vendosen gjithmonë më lart.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, theksoi se UP-ja vazhdon të jetë zgjedhja e parë për profesorët dhe studentët, duke konstatuar se aktualisht universiteti po performon më mirë se kurrë.

Në takim i pranishëm ishte edhe zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Arsim Ademi si dhe morën pjesë edhe prorektorët: Albana Berisha-Qehaja, Rozafa Basha, Naim Jerliu dhe Avni Hajdari; sekretari i përgjithshëm, Besnik Loxha; këshilltarët e rektorit, Rina Mehana, Bekim Muhaxheri; dhe asistentja ekzekutive, Fitore Seferi.