Studentët amerikanë mësojnë më shumë për UP-në dhe Kosovën
Studentët amerikanë të Shkencës politike nga Universiteti i Karolinës Veriore, të shoqëruar nga profesori i tyre, Robert Jenkins, në Rektorat morën informata të hollësishme për Universitetin e Prishtinës dhe shtetin e Kosovës.
Rektori, prof. Arben Hajrullahu, u tregoi mysafirëve të tij të nderuar se Universiteti i Prishtinës është më i madhi, më i vjetri dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe në hapësirat e Ballkanit Perëndimor dhe kudo në botë ku jetojnë shqiptarët.
Rektori tregoi se që nga marrja e detyrës së drejtuesit të universitetit është angazhuar për mobilitet të brendshëm mes njësive akademike të UP-së — programe të përbashkëta studimore, me qëllimin e hapjes, bashkëpunimit dhe thyerjes së cikleve të mbyllura. Ai foli edhe për rezultate në mobilitete të jashtme, bashkëpunime ndërkombëtare, dërgimin e sa më shumë studentëve e profesorëve në universitetet jashtë vendit dhe sjelljen në UP të studentëve e profesorëve nga jashtë.
Një temë tjetër që rektori e trajtoi gjatë ligjëratës së tij para studentëve amerikanë ishte edhe roli i universiteteve në kohën e inteligjencës artificiale. Rektori tha se ky zhvillim po e ndryshon vazhdimisht mënyrën e mësimdhënies dhe rolin e universiteteve, por theksoi se kjo inteligjencë duhet përdorur si duhet dhe me etikë.
Rektori Hajrullahu foli edhe për rrugën e shtetësisë së Kosovës dhe sfidat e shtetit të ri, në një Evropë të përfshirë e ndikuar nga lufta në Ukrainë.