Spitali Whittington nga Londra i dhuron 383 ekzemplarë manualesh Fakultetit të Mjekësisë të UP-së

Spitali Whittington nga Londra i dhuron 383 ekzemplarë manualesh Fakultetit të Mjekësisë të UP-së

Administrator Administrator 10 shkurt 2026

Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës pranoi sot 383 ekzemplarë manualesh, të botuar kohëve të fundit, nga spitali Whittington i Londrës që menaxhohet nga  Whittington Health NHS Trust.

Manualet që përmbajnë protokolle, standarde dhe udhëzime klinike për mbështetjen bazë dhe të avancuar të jetës, të dizajnuara për kategori të ndryshme të popullatës, përfshirë të rriturit dhe fëmijët, në trajtimin e gjendjeve kritike shëndetësore, erdhën nga Londra në Prishtinë me iniciativë të profesoreshës në Cambridge University Hospital, Leonora Fisniku dhe të punëtorja e spitalit Whittington, Valbona Dula.

Ky donacion është realizuar falë bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar me znj. Valbona Dula nga Spitali Whittington në Londër, e cila është përkujdesur që donacioni t’i dedikohet Universitetit të Prishtinës, konkretisht Fakultetit të Mjekësisë.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të mbajtur në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, prof. Rozafa Basha, e cilësoi këtë nismë si tejet të rëndësishme. Ajo shprehu mirënjohje për spitalin Whittington, iniciatoret e dhurimit të manualeve nga diaspora jonë, Ambasadën e Kosovës në Londër dhe MPJD-në, duke theksuar se kjo përfaqëson një mbështetje shumë të vlefshme për universitetin, studentët dhe stafin akademik.

Drejtori i Departamentit për Diasporë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Elis Badalli, i cilësoi shumë të nevojshme donacionet e tilla. „Çdo donacion që vjen kryesisht nga diaspora është i mirëseardhur për ne. Shpresoj që ky koleksion manualesh t’u hyjë në punë studentëve”, tha drejtori Badalli.

Prodekania për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë, prof. Aurora Bakalli, teksa falënderoi ambasadën e Kosovës në Londër, MPJD-në dhe Rektoratin E UP-së për organizimin e përsosur të gjithçkaje që lidhej me këtë donacion, tha se „Këto manuale që janë vërtet me vlerë të madhe shpresoj të shkojnë në duart e duhura të studentëve dhe të përfitojnë nga ky donacion”.

Në takim morën pjesë edhe prodekania për financa dhe infrastrukturë e Fakultetit të Mjekësisë, prof. Miranda Stavileci dhe koordinatori për diasporë në MPJD, Besnik Deskaj që organizoi tërë procesin e ardhjes së librave në Kosovë dhe komunikimin mes institucioneve të ndryshme.