Shkolla “Warm UP” – Dita e dytë: Drejt ekselencës doktorale – Përvoja nga UP dhe Universiteti i Luksemburgut dhe mundësitë në kuadër të skemës MSCA të Horizon Europe

Shkolla “Warm UP” – Dita e dytë: Drejt ekselencës doktorale – Përvoja nga UP dhe Universiteti i Luksemburgut dhe mundësitë në kuadër të skemës MSCA të Horizon Europe

Administrator Administrator 26 shkurt 2026

Në ditën e dytë të Shkollës Dimërore Warm UP, u prezantuan programet e sukseshme të doktoratës në Universitetin e Prishtinës, derisa u bë e ditur se si funksionojnë këto programe në Universitetin e Luksemburgut dhe rrjetit doktoral Marie Skłodowska-Curie Actions.

Programin e doktoratës të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike që është i përbashkët për të gjitha departamentet e tij, e prezantoi profesori Blerim Rexha. Ai në fillim dha detaje për fakultetin, personelin e tij akademik dhe punën shkencore e mësimdhënien moderne që bëhet në FIEK.

Profesori Rexha më pas e vlerësoi lart programin e doktoratës së FIEK-ut duke thënë se ai u shkrua në gjuhën angleze dhe me të gjitha informatat e nevojshme, në mënyrë që akredituesit ndërkombëtarë ta kryejnë punën më lehtë dhe ta kuptojnë më qartë programin.

Ai foli edhe për bashkëpunimin e frytshëm të studentëve të doktoratës nga FIEK-u me Universitetin e Luksemburgut. Këta studentë që ishin në Qendrën Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT), dijen dhe përvojën e fituar atje do ta prezantojnë nesër në një kollokium në kuadër të Warm UP. Disa studentë tjerë doktorate të FIEK-ut do të udhëtojnë drejt Luksemburgut të hënën.

Programin e përbashkët me diplomë të dyfishtë mes fakulteteve të edukimit të UP-së dhe Universitetit të Lubjanës, e paraqiti prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj.

Prorektorja Gjelaj tregoi që programi i përbashkët i doktoratës me Universitetin e Lubjanës ka nisur në vitin 2016, në kohën kur Fakulteti i Edukimit i UP-së kishte vetëm katër vjet nga themelimi i tij.

Studentët e këtij programi, kur ta përfundojnë doktoratën, do të kenë diplomë të dyfishtë, ndërsa gjatë procesit do të mbikëqyret nga dy mentorë, njëri i UP-së dhe tjetri i Universitetit të Lubjanës. Prorektorja tha se për t’u realizuar ky program ishin dashur dy marrëveshje, njëra mes dy universiteteve dhe tjetra mes fakulteteve të edukimit. Deri tash ka pasur tri gjenerata të doktorëve të shkencës nga ky program i përbashkët, gjenerata e parë dhe e dytë kishin nga 3 studentë, ndërsa sivjet numri ka shkuar në pesë.

Gjatë ditës së sotme, profesori Marcus Völp nga Qendra Ndërdisiplinare për Siguri, Qëndrueshmëri dhe Besim (SnT) në Universitetin e Luksemburgut shpjegoi se në shtetin e tij programet e doktoratës janë të lidhura me industrinë dhe në shërbim të nevojave institucionale dhe zhvillimit ekonomik.

Gjithashtu, profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Gentrit Berisha foli për mënyrën se si funksionojnë programet e doktoratës dhe mundësitë tjera akademike në kuadër të skemës MSCA të Horizon Europe.Tha se më miri në qarqet e këtij institucioni, profesorët e UP-së mund të hyjnë nëpërmjet projekteve evropiane. Ai përmendi rastin e profesorit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Afrim Gjelaj, i cili në fillim ishte pjesë e projekteve CEEPUS dhe Erasmus, pastaj ishte përfshirë në shkëmbime të personelit për t’u bërë në fund pjesë e rrjetit doktoral MSCA.

Dita e dytë e „Warm UP” u mbyll me një diskutim rreth sfidave dhe rëndësisë së mentorimit të studentëve të doktoratës. Shkolla Dimërore e UP-së vazhdon edhe nesër, me një kollokium të studentëve të FIEK-ut dhe përfundimet e nxjerra nga edicioni i parë i saj.