Shkolla Verore e BE-së 2025: Rektori Hajrullahu tregon si erdhëm deri te inteligjenca artificiale

Shkolla Verore e BE-së 2025: Rektori Hajrullahu tregon si erdhëm deri te inteligjenca artificiale

Administrator Administrator 26 qershor 2025 Arkivuar

Në Fakultetin e Filologjisë nisi Shkolla Verore e BE-së që sivjet do t’u kushtohet sfidave dhe perspektivave ndërdisiplinore gjatë përdorimit të inteligjencës artificiale.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij hapëse, tha se tashmë ndodhemi në fazën e pestë të zhvillimit teknologjik. „Faza e parë konsiderohet revolucioni industrial, kur njerëzit zbuluan makinat dhe e bënë punën në mënyrë më efikase. Pas kësaj erdhi faza e dytë, elektrifikimi, e treta ishte automatizimi, e katërta digjitalizimi dhe e pesta inteligjenca artificiale”, konstatoi rektori Hajrullahu. 

Ai bëri thirrje që të përgatitemi për ndryshimet që po sjell e do të sjellë kjo inteligjencë, pasi asgjë më nuk do të jetë njësoj.

Rektori tha se as ekspertët më të mëdhenj të fushës së inteligjencës artificiale nuk e dinë saktësisht se si do të duket e ardhmja, derisa parashikoi se këto zhvillime teknologjike do të ndryshojnë edhe mënyrën e ligjërimit të profesorëve universitarë dhe komunikimin me studentët.

Edhe Johannes Stenbaek, shefi i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, tha se inteligjenca artificiale po e transformon botën, por theksoi se është përgjegjësi e jona që kjo inteligjencë t’i shërbejë së mirës publike.

Folën edhe profesori i Universitetit të Aristotelit në Selanik, Nikolaos Panagiotou, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra dhe Florim Canolli, drejtor i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim në Zyrën e Kryeministrit.

Shkolla Verore e BE-së organizohet nga Young Cell Association në partneritet me Universitetin e Prishtinës.

Gjatë katër ditëve sa do të zgjasë, do të flitet për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsimim, media, ekonomi e biznes, për etikën, privatësinë dhe rregullativën ligjore të kësaj fushe, sigurinë kibernetike dhe tema të ngjashme. Në fund, pjesëmarrësve të Shkollës Verore të BE-së do t’u jepen certifikata.