Shikohen mundësitë e bashkëpunimit të UP-së me Universitetin Ondokuz Mayis të Turqisë

Shikohen mundësitë e bashkëpunimit të UP-së me Universitetin Ondokuz Mayis të Turqisë

Administrator Administrator 24 shtator 2025 Arkivuar

Një delegacion i lartë nga Universiteti Ondokuz Mayis i Samsunit të Turqisë vizitoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.

Rektorja e këtij universiteti, prof. Fatma Aydin, koordinatori i bashkëpunimeve ndërkombëtare, prof. Ahmet Aycan dhe profesori i Departamentit të Historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Shoqërore, prof. İlkay  Erken, u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.  Mysafirët në takim u shoqëruan edhe nga kryetari i Shoqatës „Esnaf” të Prizrenit, Varis Gjejlani dhe anëtarë tjerë të shoqatës. 

Rektorja Aydin propozoi projekte të përbashkëta mes dy universiteteve dhe bashkëpunim në fushat e mjekësisë dhe kirurgjisë, ndërsa rektori Hajrullahu përmendi si fusha të mundshme të interesit të përbashkët teknologjinë informative dhe inxhinierinë. 

Në takim, drejtuesit e të dy universiteteve u pajtuan për identifikimin e fushave me interes të dyanshëm, në mënyrë që ndonjë marrëveshje e ardhshme të jetë në shërbim të studentëve dhe profesorëve. 

Universiteti Ondokuz Mayis i Samsunit të Turqisë i themeluar në vitin 1975, është në mesin e 1200 deri 1500 universiteteve më të mira në botë, sipas “QS World University Rankings”, ndërsa ofron studime në fushat e mjekësisë, bujqësisë, drejtësisë, inxhinierisë, edukimit, ekonomisë, turizmit, arteve, shkencave humane etj. 

Aktualisht në Fakultetin e Edukimit të këtij universiteti studiojnë gjashtë studentë nga Kosova.