Senati miraton propozimet për riemërime dhe avancime të personelit akademik në tetë fakultete të UP-së
Gjatë mbledhjes së Senatit, më 17 dhjetor 2025, u miratuan propozimet për riemërim dhe avancim të personelit akademik në Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin Juridik, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Edukimit, Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore dhe Fakultetin Filozofik.
Senatorët miratuan edhe konkurset për pozitat e personelit akademik në Fakultetin Filozofik, dy nga të cilat me propozim të rektorit. U rishqyrtuan dhe miratuan edhe pozitat e reja të nevojshme të mësimdhënies në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit.
Kështu, Universiteti i Prishtinës vazhdon shpalljen e konkurseve për personelin akademik dhe pritet që edhe konkurset e mbetura në disa njësi akademike të shpallen sa më parë.
Senati miratoi njëzëri emërimin e dy profesorëve në Degën e Ballkanistikës të Fakultetit të Filologjisë, për të cilët ishte shpallur konkurs në shtator të vitit 2025.
Në Senat u shty për mbledhjen e radhës shqyrtimi dhe miratimi i Rregullores për punën e Komisionit për Çështje Statutare të Universitetit të Prishtinës, ndërsa u ratifikuan dhe aprovuan disa tema doktorate pas miratimit nga Këshilli Qendror i Studimeve të Doktoratës.
Senatorët anuluan një vendim të mëhershëm në lidhje me një titull për një profesor emeritus të UP-së, për mospërmbushje të obligimeve, derisa u miratua edhe vendimi i Këshillit të Etikës që një profesori tjetër t’i mohohet për një vit mentorimi i temave në të gjitha nivelet e studimeve.
Me këtë rast, rektori Arben Hajrullahu ftoi gjithë komunitetin akademik në UP e përtej që të iniciojnë propozimet për titujt profesor emeritus e titujt e tjerë, të paraparë e bazuar në rregulloren gjegjëse në fuqi.
Mbledhja e dhjetorit e Senatit ishte e fundit për vitin 2025.