Rektori Sahiti viziton Filozofikun dhe FSHMN-në, në kuadër të vizitave të këtij fillimviti akademik

Administrator Administrator 5 tetor 2020 Arkivuar

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka vazhduar sot vizitat në njësitë akademike të UP-së. Rektori Sahiti, në këto vizita, ishte i shoqëruar nga prorektorja për mësim dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani.

Gjatë ditës, ai fillimisht ka vizituar Fakultetin Filozofik, ku u prit në takim nga dekani, prof. asoc. dr. Dashamir Berxulli dhe prodekanët e këtij fakulteti.

Rektori Sahiti konfirmoi gatishmërinë e menaxhmentit për të bashkëpunuar ngushtë me njësitë akademike të UP-së, me qëllim përmirësimin e cilësisë në UP. Ai vizitoi edhe sallat, ku po mbahen provimet pranuese, ku u uroi kandidatëve për studentë suksese në realizimin e ëndrrës së tyre të të qenit pjesë e UP-së – universitetit lider në vend. 

Në anën tjetër, dekani Berxulli informoi rektorin me rrjedhën e procesit të provimit pranues, teksa theksoi që Departamenti i Psikologjisë është departamenti me konkurrencën më të madhe të kandidatëve për studentë, me mbi 450 kandidatë që garojnë për 100 vende në ulëset e këtij fakulteti.

Rektori Sahiti vizitat i vazhdoi në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, ku u prit në takim nga dekani, prof. dr. Idriz Vehapi. I shoqëruar nga prodekanët e këtij fakulteti, Vehapi bashkëbisedoi me rektorin rreth sfidave që e presin FSHMN-në në vazhdimësi, por edhe objektivave për të ardhmen.

Provimet pranuese do të vazhdojnë deri më 6 tetor 2020. Nesër, duke filluar nga ora 09:00, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Edukimit do të organizojnë provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2020/21.