Rektori Sahiti viziton Filozofikun dhe FSHMN-në, në kuadër të vizitave të këtij fillimviti akademik
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka vazhduar sot vizitat në njësitë akademike të UP-së. Rektori Sahiti, në këto vizita, ishte i shoqëruar nga prorektorja për mësim dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani.
Gjatë ditës, Sahiti fillimisht ka vizituar Fakultetin Filozofik, ku u prit në takim nga dekani, prof. asoc. dr. Dashamir Bërxulli dhe prodekanët e këtij fakulteti.
Rektori Sahiti konfirmoj gatishmërinë e menaxhmentit për të bashkëpunuar ngushtë me njësitë akademike, me qëllim përmirësimin e cilësisë në UP. Ai vizitoi edhe sallat ku po mbahen provimet pranuese, ku u uroi kandidatëve për studentë suksese në realizimin e ëndrrës së tyre, të të qenurit pjesë e UP-së – universitetit lider në vend.
Në anën tjetër, dekani Bërxulli informoi Rektorin me rrjedhën e procesit të provimit pranues, teksa theksoi që Departamenti i Psikologjisë është departamenti me konkurrencën më të madhe të kandidatëve për studentë, me mbi 450 kandidatë që garojnë për 100 ulëse në këtë departament.
Rektori Sahiti vizitat i vazhdoi në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, ku u mirëprit në takim nga dekani, prof. dr. Idriz Vehapi. I shoqëruar nga prodekanët e këtij fakulteti, Vehapi bashkëbisedoi me Rektorin rreth sfidave që e presin FSHMN-në në vazhdimësi, por edhe objektivave për të ardhmen.
Provimet pranuese do të vazhdojnë deri nesër, me datë 6 tetor 2020. Nesër, duke filluar nga ora 09:00, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Fakulteti i Edukimit do të organizojnë provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në vitin e parë të studimeve baçelor, për vitin akademik 2020/21.

