Rektori Hajrullahu priti zëvendëszyrtaren për marrëdhënie me publikun në ambasadën e ShBA-së
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, i shoqëruar nga prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe këshilltarja e tij ligjore Rina Mehana, priti në një takim njohës zëvendëszyrtaren për marrëdhënie me publikun në ambasadën e ShBA-së, Rebecca Satterfield.
Mysafirja e nderuar erdhi në Rektoratin e UP-së bashkë me specialisten për arsimin e lartë në këtë ambasadë, Remzije Potokun dhe asistenten e angazhimit publik, Gresë Kocën.
Gjatë takimit, zyrtaret e ambasadës amerikane treguan se në kuadër të programit Fulbright në Universitetin e Prishtinës do të vijnë profesorë vizitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rektori Hajrullahu, duke falënderuar zyrtaret e ambasadës për projektet nga të cilat kanë përfituar dhe përfitojnë studentët e profesorët nga Universiteti i Prishtinës, tha se jemi shumë të lumtur, plotësisht të hapur dhe të etur për të çuar përpara të gjitha llojet e bashkëpunimit.
Nga takimi doli qëndrimi i përbashkët për forcimin e vazhdueshëm të lidhjeve mes universiteteve dhe dy shteteve mike.