Rektori Hajrullahu priti Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp

Rektori Hajrullahu priti Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp

Administrator Administrator 28 gusht 2025 Arkivuar

Në një takim të Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, me drejtues të Universitetit të Prishtinës, u diskutua për rëndësinë e edukimit dhe për çështjet që lidhen me arsimin e lartë të komuniteteve joshumicë, me qëllim arritjen e integrimit dhe kohezionit më të lartë shoqëror.

Komisioneri Kamp u prit nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, prodekania për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hulumtime shkencore në Fakultetin e Filologjisë, Milote Sadiku, si dhe drejtuesja e Programit të Ballkanistikës, Seniha Gylderen-Krasniqi.

Komisioneri Kamp erdhi në Rektorat i shoqëruar nga këshilltari i lartë politik, Elia Boggia, këshilltarja e lartë ligjore, River Hustad, zëvendësshefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, drejtoresha e Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Komunitete, Kavya Rajan, si dhe zyrtarja politike kombëtare e këtij misioni, Drita Gjeli.

Gjatë takimit u diskutua edhe për Programin e Ballkanistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Rektori Hajrullahu informoi mysafirin e tij se në mbledhjen e nëntëmbëdhjetë, Senati i UP-së ka vendosur të hapë dy pozita të reja të profesorëve për këtë program.

Rektori Hajrullahu theksoi se programi i Ballkanistikës do të edukojë gjeneratat e reja me kompetenca gjuhësore, kulturore e historike, si dhe do të lidhë njerëzit, popujt dhe kulturat e kësaj pjese të Evropës. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e integrimit të të gjitha institucioneve të arsimit të lartë të të gjitha komuniteteve në sistemin arsimor të Kosovës, për të thyer përfundimisht ciklin e trashëgimisë ndarëse nga e kaluara.

Po ashtu, Komisioneri Kamp dhe delegacioni i OSBE-së u informuan nga rektori Hajrullahu se në Universitetin e Prishtinës 12 për qind e vendeve të lira për studentë të rinj janë të rezervuara për komunitetet joshumicë.