Rektori Dema takon përfaqësues nga Universiteti Ruhr - Bochum në Gjermani – synohet inicim i bashkëpunimit në nivel universitar
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka pritur në takim drejtorin menaxhues, dr. Christiane Wüllner, dhe përfaqësuesin për çështje ndërkombëtare, dr. Jörn Benzinger, nga Ruhr-Universität Bochum, Research School në Gjermani.
Rektori Dema, në këtë takim, ishte i shoqëruar nga prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve , prof. dr. Hysen Bytyçi.
Të pranishmit në këtë takim diskutuan për mundësi të shumta për thellimin e bashkëpunimit në nivel universitar në mes të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Ruhr-Universität Bochum, Research School.
Rektori Dema i falënderoi dr. Christiane Wüllner dhe dr. Jörn Benzinger për vizitën, teksa i informoi ata me sfidat dhe të arriturat e UP-së, ku theksoi punën që është bërë në avancimin dhe reformimin e universitetit. Dema tregoi që UP-ja ka marrëveshje bashkëpunimi në nivel universitar me institucione të ndryshme gjermane dhe evropiane por dëshiron që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tepër në vazhdimësi me të tjera universitete, siç është rasti i Ruhr-Universität Bochum, Research School.
Ekipi nga Gjermania, gjatë ditës, vazhdoi takimet me prorektoren për zhvillim dhe cilësi në UP, prof. asoc. dr Merita Berisha, dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, prof. dr Suzana Manxhuka-Kerliu, udhëheqësit e programeve të studimit të doktoratës dhe grupin e hulumtuesve të rinj nga ky fakultet. Ekipi nga Gjermania, në vizitën e tij në UP, ishte i shoqëruar nga dy bashkatdhetarë që jetojnë atje.