REKTORI DEMA SHPERBLEN ME MIRËNJOHJE STUDENTËT E UP-Së FITUES NË GARA NDERKOMBËTARE

Administrator Administrator 27 korrik 2018 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pritur sot me një ceremoni solemne përfaqësuesit e sportit universitar kosovar në Lojërat Evropiane Universitare / EUG 2018 dhe në Kampionatin Botëror Universitar të Karatesë.

Në Lojërat Evropiane Universitare të mbajtura në Coimbra të Portugalisë, studentja e Universitetit të Prishtinës, xhudistja Fjolla Kelmendi ka fituar vendin e dytë në kategorinë -48 kilogramë. Ndërkaq Alvin Karaqi, student i Fakultetit të Mjekësisë në UP, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror Universitar të Karatesë, i cili është mbajtur në Kobe të Japonisë.

Për këtë sukses, ekipet përfaqësuese u shpërblyen me mirënjohje nga rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. Dr. Marjan Dema, ndërkaq dy studentët të cilët fituan medalje në këto kompeticione pranuan edhe nga një pllakatë me logo të Universitetit të Prishtinës si shenjë mirënjohje për suksesin e tyre.

Rektori Dema u shpreh krenar për përfaqësimin dinjitoz që këta studentë i kanë bërë jo vetëm UP-së, por edhe gjithë vendit.
“Të rangohesh i dyti në nivel kontinental dhe i treti në nivel global është një sukses për t’u krenuar. Jam shumë i lumtur që jeni ju studentët e UP-së, pikërisht ata që na sollët këto medalje të çmuara, arritje të cilat dëshmojnë edhe më tepër për cilësinë e studimeve në Universitetin tonë” ka thënë Rektori Dema.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi përgëzoi fituesit e këtyre garave, teksa falënderoi Rektorin e UP-së për mbështetjen që i ka dhënë në vazhdimësi këtij Fakulteti.

Edhe studentët fitues u shprehen të lumtur me suksesin e tyre. Ata falënderuan Universitetin, dekanin dhe organizatorët e tjerë për mbështetjen e dhënë, teksa ndanë me të pranishmit rrugëtimin e tyre deri tek këto suksese.
“Për mua ka qenë edhe privilegj edhe kënaqësi që kam përfaqësuar shtetin dhe Universitetin në këto lojëra. Shpresoj që medaljet tona të jenë nismë për medalje të tjera”, u shpreh xhudisja Kelmendi. Ndërkaq, karateisti Alvin Karaqi, tha se me këto suksese i kanë treguar botës se Kosova ka sportistë dhe studentë me potenciale të mëdha.

Rektori Dema shpërbleu me mirënjohje edhe dekanin e FEFS-it, prof. asoc. dr. Musa Selimin, studentin Elhami Shabanin, trajnerin Fatos Tabakun dhe sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Karatesë në Kosovë, Nazmi Gashin.