Rektori Dema nderohet me titullin “Nderi i Qytetit”

Administrator Administrator 12 korrik 2019 Arkivuar

Në një seancë solemne, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema është nderuar me titullin “Nderi i Qytetit” i Komunës së Klinës.

Ky titull i është ndarë nga Kuvendi Komunal i Klinës, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe të shkencave matematikore.

Veprimtarinë e rektorit të UP-së, i pari i Klinës, prof. dr. Zenun Elezaj e quajti të devotshme, duke shtuar se e gjithë Klina është krenare me emrin e tij.
“Profesor, doktor Marjan Dema personifikon figurën e shquar të një pedagogu, shkencëtari, veprimtari dhe ardhetari të devotshëm. Andaj, ne bashkëqytetarët jemi të lumtur që ju kemi dhe krenar me emrin tuaj. Kontributi dhe të arriturat tuaja janë të veçanta dhe përputhen plotësisht me kohën kur Klinës dhe Kosovës në përgjithësi i duhet promovimi i këtyre vlerave”, tha Elezaj.

Gjersa kujtonte se çfarë i ka dhuruar Klina atij, rektori Dema tha se është i lumtur që vendi prej nga vjen ia dha këtë titull.
“Ky nderim që Kuvendi Komunal ma bëri do të jetë një inspirim dhe obligim që atë dashuri dhe respekt që kam për këtë trevë, ta forcoj edhe më shumë. Titulli “Nderi i Qytetit” do të më shtyjë që të nderoj Klinën ngado që shkoj, e që të jem ambasador i kësaj komune kudo, duke e ndihmuar me tërë potencialin tim në të gjitha fushat e mundshme”, tha ai.
Në këtë ceremoni, të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit Komunal, z. Fadil Gashi, rektorë të universiteteve të publike, asambleistë, klerikë fetarë, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe menaxhmentit të UP-së, dekanë, familjarë e miq të rektorit Dema.

Rektori Dema ka lindur në Stupë të Klinës. Ky titull i është ndarë nga Kuvendi Komunal i Klinës, për kontributin e dhënë në fushën e arsimit dhe të shkencave matematikore.

Titulli “Nderi i Qytetit” gjatë kësaj ceremonie iu nda edhe futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë, Shkelzen Gashit.