Rektori Dema merr pjesë në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të 30-të të Magna Kartës së Universiteteve
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema po qëndron për vizitë në Spanjë, ku po merr pjesë në ceremoninë e shënimit të përvjetorit të 30-të të Magna Kartës së Universiteteve.
Për çdo vit, Observatori i Manga Kartës organizon një konferencë e cila adreson sfidat aktuale në ruajtjen e vlerave themelore të universiteteve, teksa në këtë ceremoni rektorë të tjerë nënshkruajnë këtë dokument. Tematika konferencës se këtij viti është “Vlerat e Universitetit në këtë botë me ndryshime të shpejta”.
Gjatë kësaj vizite, Rektori Dema ka pasur rastin të takohet me rektorë të universiteteve nga mbarë bota, ku me këtë rast është informuar me gjendjen e universiteteve dhe misionin e tyre që të jenë pjesë e kontributit në këtë shoqëri të ndryshimeve të shpejta. Dema gjatë këtyre takimeve ka përçuar mesazhin se Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë një kontribuues i vyeshëm në ndryshimet pozitive në shoqërinë kosovare, duke i respektuar dhe lartësuar çdo herë vlerat themelore të arsimit të lartë.
Përveç festimit të 30 vjetorit të Magna Kartës, me këtë ceremoni është shënuar edhe 800 vjetori i themelimit të Universitetit të Salamancas në Spanjë.
Më 18 shtator të vitit 1988, në prezencën e shumë udhëheqësve politikë dhe përfaqësuesve të shoqërisë, 388 rektorë kanë nënshkruar Kartën e Mangës. Ky dokument është bërë referenca kryesore për vlerat dhe parimet themelore të universiteteve dhe deri me tani mbi 800 udhëheqës universitarë nga e gjithë bota e kanë nënshkruar atë.

Rektori Dema me Dr. Sijbolt Noorda - president i Observatorit të Magna Kartës