Profesori japonez porosit: Mos u vononi dhe kini qëllim!

Profesori japonez porosit: Mos u vononi dhe kini qëllim!

Administrator Administrator 22 korrik 2025 Arkivuar

Tosh Minohara, profesor i Universitetit Kobe të Japonisë, pjesëmarrës për herë të parë në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, thotë se studentët dhe njerëzit e Kosovës duhet të mësohen të shkojnë me kohë nëpër takime dhe ta kenë një qëllim të përbashkët për vendin e tyre.

Edhe profesori i Fakultetit Filozofik, Sabri Kiçmari, që bashkë me Minoharën ligjëruan për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Japonisë në 150 vjetët e fundit, përmend tri gjëra të rëndësishme që studentët e UP-së mund të mësojnë gjatë bashkëpunimit me studentë e universite japoneze.

„Studentët tanë, e para, mund të mësojnë shumë nga disiplina japoneze. E dyta japonezët kanë një veti të mosdorëzimit para vështirësive. Pastaj, sensi i kreativitetit, japonezët janë shoqëri shumë kreative”, shpjegon Kiçmari.

Të dy profesorët që njihen e bashkëpunojnë prej vitit 2022, e vlerësojnë lart mënyrën e organizimit dhe bërjen bashkë të profesorëve e studentëve vendas e ndërkombëtarë në Universitetin Veror.

„Mendoj se ishte fantastike të mësoje studentë nga e gjithë bota dhe të ndërveproje me profesorë nga vende të tjera. Pra, po, ky është një program i shkëlqyer. Më vjen mirë që munda të merrja pjesë”, thotë profesori Minohara.

„Mendoj se është ide e mirë. Është një formë shumë e mirë e ndërveprimit ndërmjet kulturave, shoqërive dhe shteteve të ndryshme. Besoj se ishte një gjë interesante jo vetëm për studentët, po edhe për ne që dhamë mësim. Mund të vazhdohet edhe në të ardhmen në këtë formë të organizimit të ligjëratave”, thotë Kiçmari.

Profesori Minohara tregon se si i bëri tërheqëse ligjëratat e tij për studentët e gjeneratës z.

„Ishte shumë lehtë, sepse ata ishin shumë të interesuar për leksionet tona. Mendoj se ishin studentë të shkëlqyer. Pra, si të mbahet interesimi? Thjesht duhet të japësh një ligjëratë interesante. Dhe, sigurisht, t’u shpjegosh pse kjo lidhet me ta”, thotë Minohara.

Edhe profesori Kiçmari flet për mënyrën se si duhet vepruar kur studentët që ndjekin ligjëratat janë të ndryshëm në të gjitha aspektet nga njëri-tjetri.

„Te studentët e huaj, krahas temave që do të trajtosh, duhet të përcjellësh edhe, le të themi, informata bazike që vlerëson se mund të mos i kenë. Nëse të gjithë studentët do të ishin japonezë do të kishte qenë shumë më lehtë të trajtohet (politika e jashtme dhe e sigurisë e këtij shteti) në një nivel më të thelluar, sepse ata informacionet bazike i kanë”, thotë profesori Kiçmari.

Profesori Minohara rrëfen edhe për përshtypjet që i la Kosova.

„Më pëlqen gjithçka. Njerëzit janë të gëzuar dhe shumë miqësorë. Kjo pjesë më pëlqen. Më pëlqente të ndërveproja me njerëzit e Kosovës. Gjithashtu, pamja e fshatrave. Shkova në shumë qytete të ndryshme, që ishte e këndshme”, thotë Minohara.

Profesori japonez vizitoi edhe Podujevën, vendlindjen e bashkëpunëtorit të tij, Kiçmari.

„Kemi pasur një udhëtim të gjatë në qytetin e tij, Podujevën, kështu që mësova për rritjen dhe historinë e tij. Mësova për rëndësinë e luftës dhe pavarësinë, sepse ka memoriale kudo. Kjo ishte vërtet e fuqishme. Vizituam kufirin. Oh, ai kufi ishte interesant. Folëm me rojat e kufirit. Ishte argëtuese”, shpjegon Minohara.

Profesori Kiçmari që është edhe ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni që më shumë se tre vjet, përmbledh në disa fjali ato që ka mësuar nga „Vendi i Lindjes së Diellit” dhe bashkëpunimi me profesorin Minohara.

„Japonia është shtet i ndërtuar mbi parametrat e traditës në kombinim me modernen. Shoqëria japoneze është shumë e lidhur me traditën, i kushton rëndësi familjes dhe çka është ikonike te japonezët, kanë një raport emotiv me vendin e punës, me institucionin ose kompaninë ku punojnë. Ka një përkushtim të rrallë, të jashtëzakonshëm, që nuk e ke në këtë nivel në shoqëritë tjera”, shpjegon ambasadori Kiçmari.

Ndërsa profesori Minohara me pak fjalë tregon pse Japonia ka pasur sukses.

„Japonia ka investuar te njerëzit. Dhe mendoj se kjo ka shumë vlerë, sidomos kur je i varfër nga burimet, njerëzit bëhen burimi më i rëndësishëm. Gjëja më e rëndësishme në Japoni është harmonia. Mendoj se harmonia kontribuon në një shoqëri shumë paqësore me norma të ulëta kriminaliteti. Gjithashtu, arsimi është i rëndësishëm. Pra, nuk është një gjë e vetme. Janë shumë gjëra”, thotë Minohara.

Ndërsa profesori Kiçmari i përgjigjet edhe pyetjes se a është vështirë për ta mësuar gjuhën japoneze.

„Gjuha e folur japoneze ka një logjikë dhe një strukturë të admirueshme dhe mund të mësohet si të gjitha gjuhët tjera, nuk është se është gjuhë më e vështirë sesa gjuhët e tjera për ta mësuar. Por gjuha e shkruar është shumë e vështirë dhe për të mësuar të shkruash drejt në gjuhën japoneze, një të huaji i duhen shumë vite”, thotë Kiçmari.

Profesori Minohara gjen ngjashmëri edhe mes Kosovës e Japonisë. Për të dy shtetet është tepër e rëndësishme aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të ndaluar të papriturat që mund të vijnë nga fqinjët.

„Më e rëndësishmja është që Japonia u pajtua me SHBA-në. Dhe dy shtetet janë shumë, shumë të afërta. Japonisë i duhet të mendojë seriozisht për politikën e sigurisë. Nuk është e rrethuar nga miq. Në këtë kuptim, është shumë e ngjashme me Kosovën. Nuk është e lehtë, por duhet të jesh i vetëdijshëm për rreziqet dhe të përgatitesh. Përgatitja është çelësi”, tregon dijen e tij për politikën ndërkombëtare Minohara.

Ai, me aq sa e ka shijuar ushqimin e Kosovës, e ka një këshillë miqësore për kosovarët.

„Ushqimi është shumë i kripur. Mendoj se njerëzit e Kosovës duhet të përdorin më pak kripë, sepse çon në presion të lartë të gjakut dhe probleme shëndetësore. Çdo gjë është shumë e kripur. Edhe sallata”, thotë profesori Minohara