Profesori i Universitetit Sophia të Japonisë viziton Universitetin e Prishtinës

Profesori i Universitetit Sophia të Japonisë viziton Universitetin e Prishtinës

Administrator Administrator 16 shtator 2025 Arkivuar

Profesori i Universitetit Sophia që ndodhet në Tokio të Japonisë, Taro Kamatsu, u takua me rektorin Arben Hajrullahu dhe zyrtarë të lartë të UP-së për të diskutuar rreth fushave të mundshme të bashkëpunimit me interes për të dy universitetet. 

Mysafirin e nderuar të Universitetit të Prishtinës bashkë me rektorin Hajrullahu e pritën edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha dhe dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi. 

Në takim u ra dakord që të shikohen fushat me interes të përbashkët mes dy universiteteve në mënyrë që në bazë të tyre të ripërtërihet bashkëpunimi i mëhershëm. 

Profesori Kamatsu tha se është shumë i interesuar për të bashkëpunuar në fushën e edukimit për paqen, duke theksuar se ka botuar një numër të konsiderueshëm punimesh shkencore në këto fusha. 

Gjithashtu u shikua mundësia për sesione të përbashkëta shkencore mes profesorëve të të dy universiteteve dhe vetë këtyre institucioneve të arsimit të lartë. Profesori Kamatsu shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e edicionit të 25-të të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës që do të zhvillohet në verën e vitit 2026. 

Universiteti i Prishtinës ka bashkëpunim të theksuar me profesorë japonezë dhe universitete të këtij vendi. Më 18 qershor ky universitet nderoi me titullin e tij më të lartë „Doctor Honoris Causa”, profesorin japonez të përmasave globale në fushën e së drejtës ndërkombëtare, prof. Hisashi Owada. Në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës të zhvilluar gjatë muajit korrik, ligjëruan dy profesorë japonezë. 

Universiteti Sophia i Japonisë është i renditur mes 1000 universiteteve më të mira në botë sipas ”QS World University Rankings”, ndërsa ofron studime edhe në fushat e shkencës dhe teknologjisë, drejtësisë, ekonomisë, arteve, shkencave humane, edukimit.