Profesorët nga Universiteti Democritus i Greqisë vijnë në UP për thellim bashkëpunimi

Profesorët nga Universiteti Democritus i Greqisë vijnë në UP për thellim bashkëpunimi

Administrator Administrator 2 shkurt 2026

Disa profesorë nga Universiteti Democritus i Thrakisë në Greqi bashkë me shefen e Zyrës Ndërlidhëse Greke, shkëlqesinë e saj, Heleni Vakali, vizituan Universitetin e Prishtinës.

Në takim u diskutua rreth gjetjes së mënyrave që bashkëpunimet aktuale me universitetet greke në kuadër të projekteve evropiane të çohen përpara nëpërmjet nënshkrimit të memorandumeve të mirëkuptimit.

U hulumtuan edhe fushat e interesimit të përbashkët në mënyrë që nga kontaktet në të ardhmen të organizohen kërkime shkencore, kurse dhe programe studimi të përbashkëta.

U përmendën si mundësi e lidhjeve të mëtutjeshme Universiteti Veror i Prishtinës që sivjet për herë të 25-të do të zhvillohet mes datave 6 dhe 17 korrik 2026. U konstatua se nga përvoja e profesorëve të Universitetit Democritus, UP-së mund t’i ndihmohet, mes tjerash, në përmirësimin e qasjes në objektet universitare për studentët me aftësi të kufizuara.

Shefja e Zyrës Ndërlidhëse Greke, shkëlqesia e saj, Heleni Vakali nga përvoja e krijuar në Kosovë, vlerësoi lart sidomos studentet e Universitetit të Prishtinës, ndërsa u tregoi profesorëve grekë se këtu do të gjejnë njerëz të hapur dhe të gatshëm për të kryer punët.

Profesorët e Universitetit Democritus, Agapi Kandylaki, Olga Katsiani, Stavros Fragkos dhe Georgios Filippidis, që po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të shkëmbimeve akademike të programit Erasmus +, u pritën nga rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Ata erdhën të shoqëruar nga profesoresha e Departamentit të Punës Sociale në Fakultetin Filozofik, prof. Vjollca Krasniqi dhe tri studente të këtij departamenti. Profesorët grekë do të kenë takime të shumta me zyrtarë institucionalë, organizata joqeveritare, do të vizitojnë ekspozitën me gjërat që u përkisnin fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe qytetin e Prizrenit.