Procesi i Berlinit të ndihmojë ndërkombëtarizimin dhe programet e përbashkëta të UP-së me universitete evropiane
Gjatë një takimi me koordinatorin për edukim, shkencë e inovacion të Procesit të Berlinit, z. Lucian Brujan në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, u ra dakord që ky proces i rëndësishëm i integrimit drejt BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në fushën akademike dhe universitare nuk mjafton vetëm të dalë më konferenca dhe deklarata të përbashkëta çdo vit.
Brujan, që është edhe zyrtar i lartë i Departamentit për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Akademisë Kombëtare Gjermane të Shkencave „Leopoldina”, kërkoi të dijë se cilat janë sfidat, problemet dhe çështjet më të ngutshme të Universitetit të Prishtinës që kërkojnë zgjidhje dhe mund të ndihmohen nga Procesi i Berlinit.
Drejtuesit e UP-së dhe mysafiri i tyre u pajtuan që ky proces duhet të nxisë hapa konkretë bashkëpunimi në nivelet akademike dhe universitare mes vendeve ballkanike që dëshirojnë anëtarësimin në BE, në fushat me interes të përbashkët dhe përtej pengesave politike.
Zyrtarit të lartë nga Gjermania iu kërkua ndikimi i tij për fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës nëpërmjet programeve të përbashkëta të studimeve me diplomë të dyfishtë në nivelet master dhe të doktoratës me universitete prestigjioze evropiane, si rruga e vetme për të ndërtuar një universitet modern të kohës në të cilën jetojmë.
Atij iu prezantua vizioni i menaxhmentit të UP-së për rritje të bashkëpunim të brendshëm mes njësive akademike të këtij universiteti, plani i detajuar për transformim digjital dhe iu kërkua ndihma për mobilitet të jashtëm — sjelljen e sa më shumë studentëve dhe profesorëve nga universitetet e njohura të BE-së për të punuar dhe studiuar në Prishtinë.
Gjithashtu u fol edhe për sistem plotësisht të integruar të arsimit në Kosovë për ta tejkaluar njëherë e mirë periudhën e ndarjeve të viteve ’90.
Koordinatori Lucian Brujan, u prit nga rektori, prof.Arben Hajrullahu dhe prorektorët Rozafa Basha, Adem Beha e Avni Hajdari. Rektori Hajrullahu që dy vjet radhazi merr pjesë në diskutimet e përvitshme të Shtyllës për Shkencë, Arsim, Kërkim e Inovacion të Procesit të Berlinit.