Prezantohet raporti i detajuar i UNDP-së për transformimin digjital të UP-së

Prezantohet raporti i detajuar i UNDP-së për transformimin digjital të UP-së

Administrator Administrator 4 korrik 2025 Arkivuar

Përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillimnë Kosovë (UNDP), prezantuan sot në Rektorat raportin e detajuar për mënyrat se si duhet të ndodhë transformimi digjital i Universitetit të Prishtinës. 

Raportin e prezantoi eksperti i teknologjisë informative dhe komunikimit në UNDP, z. Fatmir Belallari, i i shoqëruar nga udhëheqësi i UNDP-së për Kosovë, z. Nuno Queirós.

Prezantimi u bë para rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, prorektorit për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari dhe profesoreshës së Fakultetit të Edukimit, prof. Krenare Pireva-Nuçi. 

Duke e falënderuar UNDP-në për këtë udhërrëfyes për transformim digjital të UP-së, rektori Arben Hajrullahu ritheksoi një herë më shumë se pa transformim gjithëpërfshirës digjital Universiteti i Prishtinës nuk mund të ecë përpara në mënyrë kuptimplote. 

Raporti i UNDP-së ka identifikuar 59 veprime që duhet ndërmarrë në tri faza gjatë tre deri pesë vjetëve të ardhshëm, që UP-ja të konsiderohet një universitet i transformuar digjital, në hap me kohën dhe konkurrent në epokën e inteligjencës artificiale. 

Nga transformimi digjital i universitetit më të vjetër, më të madh dhe më të suksesshëm të Kosovës dhe të renditurit më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirave të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë botës ku jetojnë shqiptarët, do të përfitojë edhe arsimi i lartë në Kosovë dhe universitetet tjera të vendit.