Prezantohen bursat inxhinierike të Tajvanit dhe përvojat akademike që studentët e UP-së përfituan nga trajnimet e zhvilluara atje

Prezantohen bursat inxhinierike të Tajvanit dhe përvojat akademike që studentët e UP-së përfituan nga trajnimet e zhvilluara atje

Administrator Administrator 23 shkurt 2026

Në Qendrën e Inovacionit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të UP-së u dhanë detaje për bursat inxhinierike nga Tajvani dhe u prezantuan mësimet që një grup i studentëve të UP-së kanë marrë në këtë vend në fushën e ndërtimit të gjysmëpërçuesve dhe mikroçipave.

Studentët e UP-së Taulant Shala, Artinë Hoxha, Bleart Pista, Bleron Osmani dhe Anda Hamiti, që qëndruan në Tajvan dy javë në kuadër të programit të bursave të trajnimit për gjysmëpërçues, treguan para të pranishmëve dhe kolegëve të tyre aftësitë e fituara dhe procesin e prodhimit të këtyre pajisjeve dhe mikroçipave, të domosdoshëm për makineritë e ndryshme, makinat dhe pajisjet elektronike.

Tajvani është njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të gjysmëpërçuesve që përbëjnë materialin bazë për ndërtimin e mikroçipave, pa të cilët nuk mund të mendohet përditshmëria e sotme njerëzore.

Këta studentë treguan edhe përvojat e tyre personale të banimit e jetës atje, duke i cilësuar banorët e vendit të largët aziatik shumë të shoqërueshëm dhe të gatshëm në çdo kohë për të ndihmuar.

Ngjarja u hap nga prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, prof. Rozafa Basha, e cila i inkurajoi studentët e pranishëm të shfrytëzojnë këtë mundësi të veçantë për t’u informuar mbi programet tajvaneze të bursave dhe shkëmbimit, veçanërisht në fushat e inxhinierisë, por edhe në disiplina të tjera. Ajo theksoi se Tajvani është një ndër vendet ku inovacioni përbën shtyllën kryesore të zhvillimit industrial, duke nënvizuar faktin se rreth 90% e çipave më të avancuar në botë prodhohen pikërisht atje. 

Prezantimin e programit të bursave nga Tajvani e bëri zëvendësdrejtoresha e Zyrës Përfaqësuese të Taipeit në Budapest të Hungarisë, znj. Anna Y. C. Ho. Ajo për studentët e UP-së i cilësoi më të përshtatshme bursat e trajnimit për ndërtimin e gjysmëpërçuesve dhe bursat e programit ndërkombëtar të arsimit të lartë. Tha se mbulohen të gjitha shpenzimet e studentëve, përfitues të këtyre bursave, ndërsa afati i fundit për aplikim është 15 marsi 2026.

Ajo tregoi edhe si duhet të aplikohet për këto bursa dhe cilat dokumente janë të nevojshme. UP-ja publikon rregullisht informacione për bursat që ofrohen nga universitetet e Tajvanit, me të cilat ka partneritet.

Në fund u shfaq një dokumentar me titullin „A Chip Odyssey” që tregoi rrugëtimin e këtij vendi drejt suksesit global në industrinë e gjysmëpërçuesve dhe çipave. Zonja Anna Y. C. Ho që sot prezantoi mundësitë që ofrojnë bursat nga Tajvani, në janar të vitit 2025 kishte zhvilluar vizitë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës.