Përmbyllet Universiteti Veror me certifikata, emocione dhe premtim të rikthimit

Përmbyllet Universiteti Veror me certifikata, emocione dhe premtim të rikthimit

Administrator Administrator 18 korrik 2025 Arkivuar

Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës u përmbyll me një ceremoni solemne gjatë së cilës iu ndanë certifikata profesorëve dhe u bënë premtime të fuqishme për rikthim të sërishëm pas një viti.

Para profesorëve dhe studentëve pjesëmarrës, duke e vlerësuar këtë ngjarje shumë të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës dhe gjithë punën që u bë gjatë gjatë të gjitha aktiviteteve, folën rektori, prof. Arben Hajrullahu dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Pastaj përvojën e tij gjatë qëndrimit kësaj radhe në Kosovë, e tregoi profesori në Fakultetin e Shkencave dhe Inxhinierisë së Universitetit të Sagas në Japoni, Kohei Arai. Foli edhe kolegu i tij nga Fakulteti i Ixhinierisë Mekanike, Arbnor Pajaziti. Të dy bashkë e zhvilluan një kurs rreth përdorimit të teknologjisë së inteligjencës artificiale për grumbullimin dhe analizimin e të dhënave masive në ekonomi.

Në emër të studentëve ndërkombëtarë, pjesëmarrës të Universitetit Veror, foli Tim de Jong që premtoi rikthimin pasi tha se ka pirë shumë ujë te shatërvani në Prizren. Ai vlerësoi shumë mendjehapur popullin e Kosovës dhe uroi që Kosova sa më shpejt të jetë pjesë e BE-së.

Në ceremoni foli edhe studentja e Fakultetit Juridik të UP-së, Jona Kasumi që tregoi se ka mësuar shumë nga kursi për drejtësi tranzicionale dhe komunikimet me studentët e ardhur nga jashtë.

Pastaj profesorëve ndërkombëtarë dhe vendas iu shpërndanë certifikatat, si mirënjohje për punën e bërë.

Për dy javë me radhë profesorë ndërkombëtarë dhe të UP-së në 16 kurse të ndryshme, para studentëve vizitorë dhe atyre nga vendi, ligjëruan për tema të ndryshme nga teknologjia e inteligjencës artificiale për grumbullimin e të dhënave masive në ekonomi, sistemet e përparuara teknologjike që mundësojnë shërbime financiare e bankare, kultura e kujtesës dhe rruga e artefakteve nga vendi ku gjenden, deri në muze.

Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës është aktiviteti më i rëndësishëm i ndërkombëtarizimit të UP-së.