Përmbyllet projekti QILT — Fakulteti i Arkitekturës dhe UP-ja fitojnë një qendër moderne për laborator dhe teknologji
Në modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës solemnisht është përmbyllur projekti QILT, i fituar nga UP-ja në kuadër të Programit të Granteve për Mbështetje të Universiteteve (USGP) të financuar nga ambasada amerikane nën zbatimin dhe mbikëqyrjen e Kosovo United States Alumni (KUSA).
Gjatë fjalëve hyrëse u vlerësua lart projekti me të cilin Fakulteti i Arkitekturës themeloi Qendrën për Inovacion, Laborator dhe Teknologji me pajisjet më moderne të mësimdhënies për fabrikim digjital, printim 3D dhe realitet virtual e të krijuar nga kompjuteri(AR/VR).
Folësit theksuan se ky projekt dhe kjo qendër përputhet plotësisht me vizionin e Universitetit të Prishtinës për të ardhmen, pasi në kuadër të QILT-it u bashkëpunua me Komunën e Prishtinës, partnerët vendas dhe ndërkombëtarë.
U vlerësua gjithashtu se me këtë projekt që është e ardhmja e Fakultetit të Arkitekturës dhe me shumë të tjerë, ky fakultet dhe UP-ja dolën përtej mureve të tyre, duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar për të mirën e kryeqytetit.
UP-ja synon shtimin e programeve të përbashkëta mes njësive të saj, me universitete nga shtete të fuqishme të botës dhe përgatitjen e studentëve dhe personelit për sfidat e kohës së inteligjencës artificiale.
Projekti QILT i arriti të gjitha këto objektiva, duke u bërë edhe shumë i dobishëm për komunitetin. Studentë dhe profesorë të Fakultetit të Arkitekturës, mes tjerash, ndihmuan Komunën e Prishtinës në gjetje të zgjidhjeve kreative për lirimin e trotuarëve në qendër të qytetit.
Në ceremoninë e përmbylljes folën zëvendësdrejtoresha për çështje publike në Ambasadën Amerikane znj. Rebecca Satterfield, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu dhe dekania e Fakultetit të Arkitekturës, prof. Violeta Nushi.
Arritjet e projektit i paraqiti udhëheqësja e tij nga UP-ja, prof. Arta Jakupi, ndërsa të pranishmit nën udhëheqjen e profesoreshës Arta Xhambazi vizituan qendrën dhe një ekspozitë të fotografive nga aktivitetet. Për këto aktivitete u shfaq edhe një film i shkurtër.
Në fund u ndanë mirënjohje për pjesëmarrësit, studentët e përfshirë në projekt dhe partnerët e tij, ndërsa u falënderuan dhuruesit amerikanë të mjeteve.