Përmbyllet me sukses trajnimi treditor „Zhvillimi i Karrierës në Tre Hapa: Kompetencat, Tregu i Punës dhe Mjetet e Vlerësimit”

Përmbyllet me sukses trajnimi treditor „Zhvillimi i Karrierës në Tre Hapa: Kompetencat, Tregu i Punës dhe Mjetet e Vlerësimit”

Administrator Administrator 8 dhjetor 2025 Arkivuar

Më 3, 4 dhe 5 dhjetor 2025, Universiteti i Prishtinës, nëpërmjet Divizionit për Zhvillim Akademik, Cilësi, Monitorim dhe Karrierë, në bashkëpunim me Rotary Club Prishtina dhe Distriktin 2485 (Shqipëri & Kosovë), organizoi trajnimin treditor “Zhvillimi i Karrierës në Tre Hapa: Kompetencat, Tregu i Punës dhe Mjetet e Vlerësimit”.

Ky trajnim u zhvillua për 24 studentë të certifikuar duke ofruar njohuri të thella teorike dhe praktike në fuqizimin e studentëve për zhvillimin profesional, orientimin në tregun e punës dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në karrierë. Studentët e vlerësuan jashtëzakonisht lart trajnimin treditor, duke theksuar se strukturimi i sesioneve sipas temave ditore i ndihmoi ata të fitojnë një kuptim të plotë dhe praktik mbi zhvillimin e karrierës. Dita e parë, e fokusuar në vetëvlerësimin e kompetencave, u cilësua si veçanërisht e dobishme, pasi pjesëmarrësit patën mundësi të identifikojnë pikat e tyre të forta dhe fushat për zhvillim me anë të ushtrimeve individuale dhe diskutimeve në grup. Në ditën e dytë, analiza e tregut të punës dhe prezantimi i profesioneve në rritje u vlerësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme për orientimin e tyre profesional, ndërsa sesioni mbi ndërtimin e brendit personal u përmend si një prej momenteve më praktike të trajnimit. Dita e fundit, e përqendruar në metodat e Qendrës së Vlerësimit, u mirëprit veçanërisht për shkak të aktiviteteve role-play, simulimeve dhe shembujve konkretë, të cilët i ndihmuan studentët të kuptojnë procesin e vlerësimit nga perspektiva e punëdhënësve dhe mënyrën e përgatitjes efektive për të. Në përgjithësi, studentët deklaruan se trajnimet u kanë ndihmuar të zhvillojnë qasje më strategjike ndaj karrierës dhe të fitojnë shkathtësi të drejtpërdrejta për punësim.

Trajnimi u realizua nga trajnerë të certifikuar të „Business Development Group” dhe Institutit për Paqe dhe Siguri, të njohur si profesionistë të fushave të lidhura me karrierë, nderrmarrësi dhe lidership.  Ligjëratat teorike u kombinuan me orë praktike, ku studentët patën mundësi të aplikojnë njohuritë e fituara direkt. Studentët patën gjithashtu mundësinë të përfitojnë nga një prezantim i shkurtër mbi bursat e Georgia Rotary Student Program (GRSP), ku u informuan për kriteret kryesore të përzgjedhjes, mënyrën e përgatitjes së një aplikimi konkurrues dhe mundësitë unike që kjo bursë ofron. Gjatë prezantimit, ata u njohën me përvojat ndërkombëtare që programi u mundëson studentëve, duke përfshirë studimet njëvjeçare në SHBA, ndërtimin e rrjeteve profesionale dhe kulturore, si dhe mundësinë për zhvillim personal përmes angazhimit me komunitetin rotary.

Gjatë tri ditëve të trajnimit, studentët patën mundësinë të punojnë ngushtë me trajnerët profesionistë nga fusha e zhvillimit të karrierës, tregut të punës dhe vlerësimit profesional.

Florentina Dushi, trajnere nga „Business Development Group”, theksoi rëndësinë e vetëvlerësimit të kompetencave si hap të parë drejt punësimit të suksesshëm: „Studentët fituan qasje të qartë për të analizuar pikat e tyre të forta dhe për të ndërtuar plane të personalizuara zhvillimi, të nevojshme për tregun modern të punës”, tha ajo.

Ndërsa Burim Korqa, trajner nga Instituti për Paqe dhe Siguri (IPS), u fokusua në analizën e tregut të punës dhe ndërtimin e strategjive të duhura për punësim. “Pjesëmarrësit kuptuan më mirë trendet e tregut dhe mënyrat praktike për të pozicionuar aftësitë e tyre në profesionet më të kërkuara sot”, tha Korqa.

Në përmbyllje të programit, me përkrahjen e trajnerëve, studentët prodhuan një buletin praktik mbi „Zhvillimin e Karrierës në Tre Hapa: Kompetencat, Tregu i Punës dhe Mjetet e Vlerësimit”.

Ky buletin shërben si udhëzues për studentët e tjerë të Universitetit të Prishtinës, duke ofruar metoda dhe këshilla të qarta për orientimin në karrierë.

Studentët e përfshirë u shprehën entuziastë për eksperiencën e fituar duke treguar se ajo ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e tyre akademike dhe profesionale.

Rinesë Shala, studente e Fakultetit Juridik, theksoi vlerën e ushtrimeve praktike: “Trajnimi më ndihmoi të kuptoj më qartë kompetencat që kërkohen në profesionin tim dhe të ndërtoj besim në aftësitë e mia për paraqitje profesionale”, tha Shala.

Ndërsa Arb Lila, student i Fakultetit të Mjekësisë, vlerësoi veçanërisht pjesën e orientimit në tregun e punës: “Diskutimet mbi profesionet në zhvillim dhe kërkesat e tregut më dhanë një perspektivë të re për mënyrën si duhet të përgatis karrierën time”, shpjegoi Shala.

Universiteti i Prishtinës, në bashkëpunim me Rotary Club Prishtina dhe Distriktin 2485 (Shqipëri & Kosovë) dhe partnerë të tjerë, mbetet i përkushtuar për të ofruar mundësi profesionale dhe edukative që ndihmojnë studentët të zhvillohen në profesionistë të aftë, të vetëdijshëm dhe të gatshëm për tregun modern të punës.

Ky aktivitet është mbështetur nga: Rotary Club Prishtina dhe Distrikti 2485, (Shqipëria dhe Kosova) dhe Meridian Express & Buka.