Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor „UPward”

Nis Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor „UPward”

Administrator Administrator 9 korrik 2025 Arkivuar

Në Pallatin e Rinisë ku po zhvillon veprimtarinë Teatri Kombëtar i Kosovës, nisi Festivali i Filmit Studentor „Upward”, pjesë e Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

Dekani i Fakultetit të Arteve, prof. Hazir Haziri, shpalli festivalin të hapur, duke e përshkruar atë si një platformë kyçe për shkëmbimin e njohurive ndërstudentore. Ndërsa në fjalën e saj, prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, tha se Universiteti Ndërkombëtar Veror i Prishtinës nuk është vetëm platformë kryesore e UP-së për shkëmbime akademike, por edhe urë për kultura dhe miqësi afatgjata—frymë që reflektohet edhe te Festivali „UPward.”

Mes të ftuarve të shumtë ishin Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Shkëlqesia e Tij Petrit Malaj; rektori i Universitetit të Arteve në Tiranë, prof. Erald Bakalli; drejtoresha e Qendrës Kosovare të Kinematografisë, Blerta Zeqiri; si dhe studentë e pedagogë vendorë e të huaj.

Pas hapjes së festivalit u shfaq premierë filmi i Fationa Miftarit i titulluar „Ku e ki shpinë”

Festivali, që sivjet zhvillohet për herë të dytë, organizohet nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, ndërsa gjatë tij për katër ditë me radhë do të shfaqen filma të shkurtër, organizohen punëtori e diskutime nga profesorë e studentë të këtij fakulteti dhe kolegët e tyre të ardhur nga jashtë.