Nëpër kurset e Universitetit Veror: Efekte speciale, lidership, teknologji ekonomike e drejtësi tranzicionale
Profesori spanjoll Ricardo Spencer de Albuquerque, gjatë ditës së sotme, në kursin ku po ligjëron për efektet speciale filmike që mund të krijohen te filmat me buxhet të vogël, ua dëshmoi në praktikë studentëve se si mund të përgatitet fytyra e një aktoreje që pëson aksident në film.
Me profesorin nga Spanja dhe studentët e kursit punonte tërë kohën edhe profesori i Fakultetit të Arteve, Blerim Gjinovci.
Para vizitoreve — prorektores për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, prorektores për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, zyrtares së Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, Saranda Krasniqi dhe studentëve, profesori Albuquerque tregoi se me çfarë materiali ndërton efektet.
Ai përdori kafe dhe ngjyra ushqimore për të vizatuar gjakun, ndërsa në tavolinën e punës shiheshin edhe materiale për simulime të ngjarjeve tjera, mes tyre edhe një dorë nga dylli e ndërtuar gjatë kursit nga profesori Albuquerque dhe studentët e tij.
Në kurset tjera të vizituara nga prorektorët dhe zyrtarja e Universitetit Veror, të shpërndara nëpër ambientet e Universitetit të Prishtinës, për shkak të natyrës së tyre tjetër akademike, nuk kishte simulime e as efekte speciale. Gjithçka bazohej në statistika e fakte.
Profesori i Fakultetit Ekonomik, Gentrit Berisha ua shpjegonte studentëve të tij, shumicës së tyre nga gjenerata z, një gjeneratë digjitale, e lindur dhe e rritur me internetin, si të jenë liderë në një botë të ardhme që është e tyre.
Në një kurs tjetër, profesoresha italiane e Departamentit të Shkencës Politike në Universitetin e Napolit „Federico II”, Maria Iannario, bashkë me profesoreshën e Fakultetit të Ekonomisë, Albulena Shala, u tregonin studentëve anën teorike dhe përdorimin praktik të modeleve e gjuhëve statistikore bazike të përdorura nga inteligjenca artificiale, programet kompjuterike dhe teknologjitë e ngjashme në fushën e mbështetjes së shërbimeve bankare dhe financiare.
Edhe profesorët Malgorzata Misniakiewicz nga Universiteti Ekonomik i Krakovit të Polonisë dhe Visar Rrustemi i Fakultetit të Ekonomisë të UP-së në kursin e tyre të përbashkët së bashku me studentët po merreshin me zgjidhjen krijuese të problemeve në biznes, duke analizuar me punë grupore kushtet e kreditimit.
Ndërsa profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Mastrihtit, Fabian Raimondo bashkëbisedonte me studentët e tij në lidhje me ligjëratën e zhvilluar më herët rreth drejtësisë tranzicionale dhe krimeve të luftës.
Ai në këtë kurs po bashkëpunon ngushtë me profesorin e Fakultetit Juridik, Besfort Rrecaj.
Gjithë ky aktivitet mësimor në Universitetin Ndërkombëtar Veror të Prishtinës ndodhi pas dy ditë pushimi nga ligjëratat, gjatë të cilave profesorët dhe studentët vizituan vendet më të bukura të Kosovës.