Në vitin 2025 Universiteti i Prishtinës investoi 329,169 € për të promovuar kërkimin shkencor të personelit akademik

Në vitin 2025 Universiteti i Prishtinës investoi 329,169 € për të promovuar kërkimin shkencor të personelit akademik

Administrator Administrator 15 dhjetor 2025 Arkivuar

Universiteti i Prishtinës ka mbështetur financiarisht personelin e 14 njësive të veta akademike me një shumë prej 329,169.10 € për punimet shkencore të indeksuara në platformat „Web of Science” dhe „Scopus”, kapitujt e librave dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare.

Duke filluar nga sot e deri më 28 dhjetor, Universiteti i Prishtinës do të promovojë kërkimet shkencore të personelit akademik të secilës njësi akademike, duke nxjerrë në pah kontributin e tyre për zhvillimin e dijes dhe ndikimit ndërkombëtar.

Njëri nga prioritetet e UP-së është përmirësimi, avancimi dhe fuqizimi i vazhdueshëm i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare, trajnimeve të ndryshme, publikimeve në revista e platforma prestigjioze dhe lidhjes me këtë universitet të diasporës sonë akademike që punon në 400 universitetet më të njohura të botës.

Universiteti i Prishtinës, më i vjetri, më i madhi dhe më i suksesshmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë është i renditur më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirave gjeografike në Ballkanin Perëndimor ku jetojnë shqiptarët.