Në UP nis Shkolla Verore e Bashkimit Evropian
Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” sot u zhvillua dita e parë e Shkollës Verore të Bashkimit Evropian, e organizuar nga projekti European Young Cell Alumni dhe UP, si dhe e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Punimet e kësaj shkolle u përshëndeten nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj – Berisha, e cila u shpreh e lumtur që një shkollë e kalibrit të tillë po organizohet në Universitetin e Prishtinës.
“Sjellja e eksperiencave që lidhen me sfidat dhe perspektivat e BREKSIT-it, zgjerimin e BE-së dhe bashkëpunimin rajonal në Ballkan, njëherësh edhe debati final që parasheh kjo shkollë verore lidhur me këto tema, do të kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e një shoqërie më moderne në vendin tonë, si dhe qasje më të lehtë në integrimin në BE”.
Ndërkaq, z. Ezio Benedetti – lider i projektit Young Cell Scheme (Round XI-XII), u uroi studentëve pjesëmarrje sa më të dobishëm në këtë shkollë verore, teksa falënderoi UP-në për bashkëpunimin që kanë treguar në organizimin e këtij aktiviteti.
Në anën tjetër, Nida Krasniqi - pjesëtare e bordit të European Young Cell Alumni (EYCA) dha më shumë informacione për studentët lidhur me mundësitë që ofron EYCA, teksa tha që pjesëmarrja në këtë shkollë verore është një mundësi e rrallë të cilën studentët nuk duhet lëshuar.
Tema e edicionit të shtatë të Shkollës Verore të BE-së është “BREXIT-i, Zgjerimi i BE-së dhe Bashkëpunimi Rajonal në Ballkanin Perëndimor: Sfidat dhe Perspektivat”.
Shkolla Verore e BE-së 2018 do të zgjasë tri ditë, ku për studentët pjesëmarrës do të ligjërojnë profesorë eminentë ndërkombëtare dhe vendorë.