Në UP mirëpritet delegacioni nga Bosch Rexroth AG – Diskutohen mundësitë e bashkëpunimi në fushën e hidraulikës

Në UP mirëpritet delegacioni nga Bosch Rexroth AG – Diskutohen mundësitë e bashkëpunimi në fushën e hidraulikës

Administrator Administrator 11 korrik 2025 Arkivuar

Një delegacion i kompanisë globale me bazë në Gjermani, Bosch Rexroth AG, vizitoi sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për të shikuar mundësitë e bashkëpunimit. 

Delegacioni i kësaj korporate, përbëhej nga Steffen Haack, drejtor ekzekutiv i Bosch Rexroth, Mark Krieg, zëvendësdrejtor i zhvillimit në Njësinë e Biznesit të Hidraulikës Industriale, Artur Virt, drejtor i zhvillimit softuerik në Njësinë e Biznesit të Hidraulikës Industriale, Christian Joop, drejtor i ekselencës inxhinierike dhe Zarife Wiesler, drejtoreshë e marketingut. 

Mysafirët e nderuar u pritën nga prof. Avni Hajdari, prorektor për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion dhe prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik e privat, prof. Albana Berisha Qehaja. 

Gjatë takimit, prorektori Hajdari u tregoi zyrtarëve të lartë të kompanisë së njohur historinë, të tashmen dhe rezultatet e larta të Universitetit të Prishtinës, institucionit arsimor të renditur më së larti në platformat ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirave ku jetojnë shqiptarët. 

Zyrtarët e lartë të Bosch Rexroth AG shprehën dëshirën për bashkëpunim në fushën e hidraulikës, duke treguar se në nivel global kanë partneritet me mbi 100 universitete. Delegacioni i kësaj kompanie më pas vizitoi Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. 

Bosch Rexroth AG është një nga kompanitë më të rëndësishme globale në fushën e teknologjive të drejtimit dhe kontrollit, pjesë e grupit Bosch dhe një aktore kyçe në automatizim industrial, sistemet inteligjente të prodhimit dhe inovacionin teknologjik.