Në UP, mbahet punëtoria “Changing the Story”
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” në partneritet me Universitetin e Bournemouth ka organizuar punëtorinë fillestare në kornizë të projektit “Changing the Story”, të financuar nga Këshilli Hulumtues nga Artet dhe Humanistika (AHRC). Në ditën e parë të punëtorisë nikoqire ishte organizata partnere e projektit, Stacioni-Qendra për Art Bashkëkohor, kurse dita e dytë e punëtorisë u mbajt në Fakultetin Filozofik të UP-së.
Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Merita Berisha - Koçinaj mirëpriti pjesëmarrësit dhe punëtorinë duke cekur që projektet hulumtuese si “Changing the Story,” që përfshijnë partnerë ndërkombëtarë dhe vendor, janë shumë të rëndësishme për Universitetin dhe vendin.

Punëtoria fillestare u organizua me qëllim për të diskutuar mundësitë e arsimimit qytetar të rinisë në Kosovë nëpërmjet artit. Dega e Kosovës e projektit “Changing the Story” do të hulumtojë dhe do të punojë me organizata të ndryshme në vend që të mund të etablojë, zbulojë dhe zhvillojë mënyra të reja të angazhimit të të rinjve nëpërmjet arteve. Projekti kombinon komponente hulumtuese dhe aplikative, me synim që të prodhojë praktika alternative që do t’ju propozohen institucioneve arsimore formale dhe jo formale, si dhe prodhimin e hulumtimeve dhe publikimeve akademike. Kjo do të arrihet në bashkëpunim me katër partnerë lokal që punojnë me artin dhe rininë në disa komuna të Kosovës, duke përfshirë: Stacioni-Qendra për Art Bashkëkohor (Prishtinë), Anibar (Pejë), 7 Arte (Mitrovicë), Aktiv (Mitrovica e Veriut) dhe Varg e Vi (Gjilan). Në punëtori ishin të pranishme edhe organizata të tjera vendase dhe ndërkombëtare duke përfshirë: Kosovo 2.0, Youth Initiative for Human Rights (YIHR), Seldom Heard Voices dhe Opera Circus si dhe hulumtues/e të pavarur/a.
