Në kongresin e kirurgëve nënshkruhet marrëveshja për Qendrën për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara

Në kongresin e kirurgëve nënshkruhet marrëveshja për Qendrën për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara

Administrator Administrator 26 shtator 2025 Arkivuar

Në ditën hapëse të Kongresit të Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet më në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

Duke folur për këtë qendër, rektori, prof. Arben Hajrullahu, konstatoi se ajo do të mëtojë të jetë një lidere e kirurgjisë moderne në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, në një kohë të konkurrencës globale dhe epokës së inteligjencës artificiale. Qendra do të jetë një platformë unike për edukim, kërkime, inovacion dhe trajnime të avancuara mjekësore, kirurgjike dhe ndërdisiplinore në nivel universitar.

Rektori ua përmendi pjesëmarrësve edhe Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik, të miratuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës më 30 prill 2025, duke u bërë thirrje të pranishmëve nga diaspora ekselente akademike që të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës.

QKSTK-ja pritet të ofrojë bashkëpunim kombëtar e ndërkombëtar akademik e shkencor, kërkime, publikime e inovacione, edukim, trajnim, kirurgji të avancuar dhe përmirësim të kujdesit shëndetësor në Kosovë e rajon. 

Në nisje të Kongresit të Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë, foli edhe themeluesi dhe drejtuesi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ish-ministri i Shëndetësisë dhe kirurgu me përmasa ndërkombëtare, prof. Rifat Latifi.  

Ai mbajtjen e Kongresit të Parë Klinik të Kirurgëve Shqiptarë e cilësoi realizim të ëndrrës së tij më të bukur që ka pasur. Kirurgu i njohur Latifi, tha se të gjithë kemi dalë nga Universiteti i Prishtinës dhe duhet ta ngremë atë gjithnjë e më lart. 

Pastaj Kolegji i Kirurgëve të Kosovës i ndau Universitetit të Prishtinës Çmimin për Partneritet të Shkëlqyer

Edhe rektori Hajrullahu dhe Universiteti i Prishtinës nuk i mbetën borxh profesorit Latifi. E nderuan me mirënjohje për gjithë punën që ka bërë. Kongresi i Parë i Kirurgëve Shqiptarë do të zhvillohet nga 25 deri më 28 shtator.