Në Fakultetin Filozofik nis projekti "Teach UP" i Erasmus+ CBHE

Në Fakultetin Filozofik nis projekti "Teach UP" i Erasmus+ CBHE

Administrator Administrator 1 dhjetor 2025 Arkivuar

Ka nisur në Fakultetin Filozofik projekti „Teach UP - Transformative Education and Capacity-building for Higher Education Professionals in Political and Social Sciences" i mbështetur nga  Erasmus + CBHE që synon përmirësimin e mësimdhënies dhe nxënies në fushat e shkencës politike, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut në universitetet e Kosovës dhe Shqipërisë. 

Gjatë fjalëve përshëndetëse u tha që projekti „Teach UP” ka ambicie të qarta ta transformojë mësimdhënien, mënyrën e transmetimit të dijes dhe partneritetet e bashkëpunimet e universiteteve me njëra-tjetrën dhe me botën. 

Në ditën e lansimit të projektit, u konstatua gjithashtu që ai është në harmoni të plotë më vizionin e Universitetit të Prishtinës për transparencë, meritokraci e llogaridhënie, sjelljes së sa më shumë profesorëve e studentëve nga jashtë dhe dërgimit të personelit mësimor dhe studentëve të UP-së nëpër institucione akademike prestigjioze. 

Gjithashtu u përmend edhe projekti i „qarkullimit të trurit”, një ide e rektorit, prof. Arben Hajrullahu, me të cilin deri më tash janë asociuar edhe me UP-në tre profesorë me integritet të lartë akademik dhe përvojë të madhe ndërkombëtare në universitetet më të njohura të globit. U vlerësua që është koha e duhur që Fakulteti Filozofik dhe UP-ja të lëvizin përpara për të arritur ndryshimet e nevojshme dhe përshtatjen me tregun e punës që në vazhdimësi po ndryshon. 

Pika më e rëndësishme e këtij projekti është mundësia e trajnimit të personelit akademik të UP-së në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion të Holandës dhe Universitetin Paris Lodron të Salzburgut që njihen për ekselencë, inovacion dhe kulturë të lartë akademike.

Fjalime hapëse në nisje të projektit " Teach UP" mbajtën prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof.  Avni Hajdari, dekani i Fakultetit Filozofik prof. Bekim Baliqi, derisa detajet e projektit dhe qëllimet e tij i shpalosi koordinatorja, ass. Lirije Palushi. 

Të martën, në ditën e dytë të lansimit të "Teach UP" do të diskutohet për afatet e realizimit, hapat e ardhshëm, arritjen e qëllimeve dhe do të nxirren përfundimet. Projekti ka partnerë Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion të Holandës, Universitetin Paris Lodron të Salzburgut, Kolegjin Universum, Universitetin Evropian dhe Universitetin e Nju Jorkut nga Tirana, Institutin për Studime Politike, Ekonomike e Sociale (IEPSS) dhe Qendrën për Arsim dhe Zhvillim (CED) (Center for Education and Development).